Reali i Madridit ende nuk e ka zgjedhur trajnerin

schedule09:09 - 1 Nëntor, 2018

schedule 09:09 - 1 Nëntor, 2018

Roberto Martinez është favorit për stolin e Realit të Madridit. Presidenti Florentino Perez po nxiton të gjejë një trajner të ri pas shkarkimit të Hulen Lopetegit.

Një zgjedhje e gabuar. Të paktën kjo është ajo që mendon presidenti i Realit, Florentino Perez, ndërsa Hulen Lopetegi u shkarkua tepër shpejt, duke e lënë bosh stolin madrilen. Katastrofa në “El Klasiko” ndaj Barcelonës solli fundin e durimit të presidentit, veçse ishte fillimi i një torture të re, për të gjetur trajnerin e radhës. Gjithçka u mendua e thjeshtë, me Antonio Konten si kandidatin e përzgjedhur, veçse ndodhi diçka për të cilën numri 1 i klubit nuk ishte përgatitur. Kapiteni i fuqishëm Sergio Ramos doli kundër trajnerit italian, duke lëshuar paralajmërimin se “respekti fitohet, nuk imponohet”.

Ramos u bë zëdhënës i skuadrës duke i bërë me dije presidentit se Konte nuk ishte i mirëpritur. Kandidati numër 2, i cili tani quhet favorit për detyrën, është Roberto Martinez. Trajneri i Belgjikës fitoi shumë respekt dhe lavdi duke arritur në vend të tretë në Kupën e Botës. Jo vetëm kaq, por ai ka treguar se di të sillet me yjet, siç janë ata të Belgjikës, Hazar, De Brujn, Lukaku, Mertens apo Kurtua. Reali shpreson që Martinez të ndihmojë që Eden Hazar të braktisë Çelsin e të vijë në “Bernabeu” verën e ardhshme.

Gjithsesi, nuk do të jetë tepër e lehtë, pasi Federata Belge bëri menjëherë paralajmërimin duke i kujtuar Perezit se trajneri është nën kontratë. Si alternativë mbetet Maurisio Poçetino, trajneri shumë i mirë i Totenhemit, që Madridi e deshi që në maj. Sidoqoftë, për momentin, në stol është Santiago Solari, ish-yll i Realit, dhe teknik i skuadrës B. Ai ka katër ndeshje në dispozicion për ta bindur Perezin që t’ia japë detyrën me kontratë të plotë./abcnews.al