Reali e Totenhemi, pranë kualifikimit pas fitoreve në Champions

schedule16:46 - 14 Shkurt, 2019

schedule 16:46 - 14 Shkurt, 2019

Reali dhe Totenhemi janë shumë pranë kualifikimit pas sukseseve në ndeshjet e para në Champions. Madrilenët triumfuan me polemika në fushën e Ajaksit, ndërsa anglezët ishin shumë të fortë për Dortmundin.

Enigma thuajse u shua për dy sfidat në Amsterdam e Londër. Reali e Totenhemi janë thuajse të kualifikuar, pas sukseseve, përkatësisht ndaj Ajaksit dhe Dortmundit në ndeshjet e para të turit të dytë të Championsit.

Kampionët e Europës nuk është se shkëlqyen në Amsterdam, por gjithsesi fituan, me gola të Benzemasë e Marko Asensios.

Madrilenët shfrytëzuan diferencën e përvojës ndaj një Ajaksi që e ka të pamundur të ngrihet, jo më në nivelet e viteve 70-të, por as tek vitet 1992-1996.

Sidoqoftë, fitore me polemika, pikërisht për shkak të VAR-it që debutoi në Champions këtë raund.

Ajaksi shënoi në pjesën e parë me mbrojtësin Taliafiko, por goli iu anulua.

Vendimi i gjyqtarit Skomina, në bashkëpunim me teknologjinë, ishte kaq i dyshimtë saqë edhe specialisti i gazetës madrilene, “Marka”, Anduhar Oliver, e cilësoi si të padrejtë.

Gjithsesi, në kopertinë, “Marka” nuk ia prishi qejfin ekipit dhe tifozëve, duke titulluar: E përballuan si kampionë! Ajaksi ishte një stuhi që e bëri Madridin të vuajë, ndërsa VAR-i debutoi në Champions me një gol të anuluar saktë!

Jo e këtij mendimi gazeta e Barcelonës, “Sport”: Po tani, për çfarë duhet VAR-i?!

Polemika e dytë, ajo me kapitenin madrilen, Sergio Ramos, që mori karton të verdhë, duke u pezulluar për sfidën e kthimit ndaj Ajaksit, veprim që u duk i qëllimshëm.

“Është e vërtetë që po shikoja rezultatin, – pranoi Ramosi për kamerat, duke bërë bujë, – ishte diçka që nënkuptohej. Nuk dua të nënvleftësoj rivalin, por ka raste që duhet të marrësh vendime të tilla”.

Tashmë, qendërmbrojtësi rrezikon 2 ndeshje pezullim, dhe jo vetëm një.

“Nuk ishte e lehtë, pasi Ajaksi pati mundësi të përgatitej më mirë se ne, në këtë ndeshje, – tha trajneri I Realit, Solari, – gjithsesi, unë jam I kënaqur me ekipin tim dhe me lojtarët e mi. Na mbetet të luajmë edhe ndeshjen e dytë, me po këtë profesionalizëm”.

Totenhemi, ndërkaq, dha një paraqitje të madhe në stadiumin “Uembli” ndaj Dortmundit.

Fitore 3-0 në duelin mes dy ekipeve me shumë mungesa, të cilat anglezët i ndjenë më pak.

Koreanojugori Son, mbrojtësi Vertongen, e sulmuesi Jorente ishin autorët e golave ndaj ekipit kryesues të Bundesligës.

“Lojtarët e mi janë heronj, – tha trajneri i Spërsave, Poçetino, – ata po luftojnë dhe po fitojnë, në Angli dhe në Europë. Sezoni është shumë i vështirë, por ata po e përballojnë siç duhet”.

Dortmundi nuk u paraqit keq në pjesën e parë, por pas pushimit publiku prej mbi 70 000 spektatorësh në “Uembli” ndoqi një spektakël të Totenhemit.

Ndeshjet e kthimit, Real-Ajaks dhe Dortmund-Totenhem, luhen në 5 mars. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!