Ky gol duket sikur simbolizon gjithçka.
Arda Gyler është e tashmja dhe e ardhmja e Realit, dhe klasi i tij duket sikur tregon se ky Madrid nuk është për t’u hedhur poshtë.
Pas kritikave të ashpra të tifozëve vetëm disa ditë më parë, erdhën dy fitore të mëdha, njëra 3-0 në Champions ndaj Mançester Sitit që hap rrugën për në çerekfinale, dhe kjo në La Ligë ndaj Elçes.
Të dyja në “Santiago Bernabeu”, kur rreth 80 000 spektatorë po kuptojnë se ky ekip mundet sërish të fitojë gjithçka, edhe pa Ronaldon e Ramosin, edhe pa yjet e tjerë Benzema, Modriç e Kros.
Në fushë është kapiteni i momentit, Federiko Valverde, që shënoi sërish pasi ia doli tri herë ndaj Sitit të Guardiolës.
Rrjetat e tjera u shënuan nga mbrojtësit Rydiger dhe Huijsen. Gjithçka po shkon më në fund mirë për trajnerin që quhet kujdestar, Alvaro Arbeloa, por që ndoshta mund të konfirmohet në fund të sezonit.
Kjo do të ndodhë vetëm nëse Reali do të fitojë trofe.
E vërtetë që fitoja 4-1 ishte spektakolare dhe e afroi sërish ekipin “merenges” me Barcelonën që kryeson, por po ashtu nuk mund të mos thuhet se gjigandët luajtën pak si pragmatistë, diçka jo prej Madridi.
Elçe mbajti topin 52 për qind të “Bernabeu” dhe bëri 10 gjuajtje ndaj 14 të vendasve.
Gjithsesi, ndeshja u fitua dhe Reali ka tani 66 pikë, plotësisht në garë për titull kur ka edhe 10 javë deri në përfundim të kampionatit.


