Real Madrid nën akuza

schedule16:10 - 24 Nëntor, 2018

schedule 16:10 - 24 Nëntor, 2018

Revista gjermane “Der Shpigel” vazhdon akuzat ndaj disa prej yjeve më të mëdhenj të Realit. Pas Kristiano Ronaldos, në qendër të skandalit ka përfunduar kapiteni Sergio Ramos.

Kjo media është kthyer në armikun numër 1 në Madrid. Ishte revista “Der Shpigel” që botoi historinë e bujshme të përdhunimit të dyshuar, të kryer nga Kristiano Ronaldo në SHBA. Është sërish kjo media gjermane që publikon një tjetër skandal të dyshuar, atë të daljes pozitiv me doping të Sergio Ramosit në finalen e Championsit në 2017 ndaj Juventusit, fituar 4-1 nga madrilenët.

“Der Shpigel” shkruan se kapiteni i Realit doli pozitiv për deksametazon, pas analizës së urinës, por kjo gjë u fsheh nga UEFA, në mënyrë të pabesueshme dhe skandaloze. Revista i referohet dokumentave të siguruara nga “Futboll Liks” (Football Leaks – Rrjedhjet e Futbollit), një lloj Uikiliksi (Ëikileaks) sportiv. Reali u përgjigj duke mohuar kategorikisht që Ramosi të kishte shkelur rregullat për dopingun.

Gjithsesi, ky mohim nuk e largon hijen e skandalit nga klubi më i madh i botës, ndërsa “vjedhësit kibernetikë” (hakerat) thonë se kanë siguruar dokumente të fshehta të UEFA-s. Sipas tyre, deksametazoni, mund të lejohet vetëm nëse UEFA informohet që më përpara, gjë që nuk ndodhi në 2017.

“Asnjë masë nuk u mor ndaj lojtarit, apo mjekut të Realit, pavarësisht nga skandali, – shkruan “Der Shpigeli”, – mënyra sesi UEFA e fshehu këtë rast, tregon sabotimin e luftës ndaj dopingut në futbollin e nivelit më të lartë europian”.

Pas këtyre publikimeve, me siguri revista gjermane është kthyer në “armikun publik numër 1” për Realin.

Nuk mund të harrohet skandali i dyshuar për Ronaldon, që akuzohet se përdhunoi një grua amerikane të quajtur Ketrin Majorga, ndërsa Reali akuzohet se e detyroi që ta paguante ish-modelen për të mos folur. Në të kaluarën, klubi madrilen ka pasur skandale të tjera të dyshuara, siç ndodhi në 2015, kur një ndihmësgjyqtar deklaroi në kushte anonimiteti se ishte porositur nga Federata të arbitronte në favor të Realit, në El Klasikon ndaj Barcelonës.

Nuk pati rezultat nga hetimi, ndërsa katalanasit fituan 4-0 në “Santiago Bernabeu”. Skandalet ishin më të mëdha në kohën e Frankos, siç ndodhi në finalet e Kupës së Spanjës në 1943, kur Barcelona fitoi 3-0 ndeshjen e parë, por humbi 1-11 të dytën pas atij që u quajt presion i regjimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!