Skuadra e Real Madrid ka fituar ndaj Arsenal fale ruletës se 11 metërshave. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2
Real Madrid fiton falë ruletës së 11 metërshave ndaj Arsenal në takimin e vlefshëm për International Champions Cup. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 ndërkohë që fituesi u vendos nga penalltitë.
Sfida nisi në mënyrën më të mirë për Arsenal të cilët shënuan dy gola në pjesën e parë. Lakazete hapi serinë e golave në minutën e 9-të të takimit duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit.
Nuk vonoi edhe goli i dytë me autor Aubameyag. Ish sulmuesi i Dortmund mposhti lehtësisht portierin Navas duke e dërguar sfidën në rezultatin 2-0.
Pjesa e parë foli në favor të Arsenalit ndërkohë që në fraksionin e dytë trajneri Zidane bëri ndryshimet e duhura të cilat dhanë një efekt të menjëhershëm.
Gareth Bale ngushtoi shifrat në minutën e 55 duke përfituar nga një devijim. Vetëm tre minuta më pas, Asensio vendos baraspeshën pasi merr një pasim të saktë nga Marcelo.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2 ndërkohë që sfida iu drejtua goditjes së penalltive ku spanjollët u treguan më të saktë se anglezët. Reali tregoi një paraqitje pozitive përballë Arsenal ndërkohë që ndeshjen e radhës do ta luajë përballë rivalëve të Atletiko Madrid./ABC News Albania 24/7