Ditën e sotme klubet e La Liga dhe La Liga 2 organizuan një mbledhje për Superligën Europiane, të propozuar nga 12 klube. Formati i kësaj lige ka shkaktuar shumë reagime kundër, ashtu siç u shprehën edhe sot unanimisht të gjithë klubet. La Liga kërkon tërheqjen nga ky projekt edhe të Barcelonës e Real Madrid.
DEKLATARA – “La Liga u takua sot me 39 klubet që nuk janë ftuar të bashkohen në Superligën Evropiane, për të diskutuar propozimin e fundit të këtij formati. Klubet e pranishme unanimisht refuzuan planet për të krijuar këtë kompeticion. Të gjitha klubet besojnë fort në meritat sportive si i vetmi kriter për të qenë në gjendje të kualifikohen në garat ndërkombëtare të klubeve, përmes ligave kombëtare.
Sot tifozët e futbollit në Evropë mund të ëndërrojnë që klubi i tyre, pavarësisht sa i madh është, mund të marrë pjesë në një kompeticion, të arrijë majat dhe të garojë në majën e futbollit Evropian. Kjo traditë evropiane e futbollit është primare për të gjithë dhe nuk duhet të kërcënohet ose të ndryshohet.
Kundërshtimi nga e gjithë bota e futbollit ka treguar se një ligë evropiane e mbyllur dhe elitare është e paarritshme dhe e padëshirueshme. Reagimet që kemi parë në të gjithë Evropën tregojnë se sa i rëndësishëm është një sistem i hapur për futbollin. La Liga dhe klubet që u bashkuan sot dëshirojnë të falënderojnë të gjithë palët e interesuara për mbështetjen që kanë treguar, për një temë kryesore për ardhmen e futbollit.
La Liga do të vazhdojë të punojë me palët e interesuara, duke përfshirë grupet e tifozëve, qeverinë, UEFA-n dhe të gjitha ligat europiane në mbrojtje të interesave të lojës, si dhe do të kërkojë nga klubet e përfshira që ta largohen menjëherë nga ai projekt”. /abcnews.al