E dinë edhe vetë se nuk mund ta kalojnë kaq lehtë.
Yjet e Realit janë plotësisht të ndërgjegjshëm se prej tyre priten trofe, dhe nuk janë habitur aspak që shpejt mbërriti koha e “gjyqeve” pas eliminimit nga Championsi.
Siç shkruan e përditshmja “Marka”, sondazhet tregojnë qartë gjendjen shpirtërore të tifozëve pas dështimeve të njëpasnjëshme të këtij edicioni, që logjikshëm do të përfundojë pa trofe.
Në sondazhin e parë, publiku i dha notë negative ekipit për atë që bëri në Champions.
Po ashtu, kritikojnë trajnerin Arbeloa dhe janë kundër që ai të vazhdojë në detyrë, ndonëse nuk e cilësojnë si fajtorin kryesor.
Përgjegjësinë më të madhe, sipas tifozëve e ka klubi, e kanë lojtarët që I dolën kundër ish-trajnerit Shabi Alonso, si dhe të gjithë lojtarët në total, e vetëm në fund trajneri Arbeloa me vetëm 1 për qind faj.
Ndër futbollistët, më të kritikuarit janë Kamavinga, Vinisius, Alaba e Sebajos e me radhë të tjerët.
Më të vlerësuarit siç pritej janë portieri Kurtua, Kilian Mbape, Valverde apo Arda Gyler.
Reali u mund nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës, duke humbur njërin trofe.
Po ashtu, u eliminua në mënyrë të papritur nga Kupa e Mbretit, duke humbur 2-3 në fushën e Albasetes, diçka që nuk pritej, ndërsa ka mbetur shumë prapa në La Ligë, ku Barça kryeson me 9 pikë epërsi kur duhen edhe 7 javë deri në përfundim.
Goditja e fundit erdhi në Champions, ku madrilenët u eliminuan në çerekfinale pasi u mundën dy herë nga Bajerni, 2-1 në “Santiago Bernabeu” dhe 4-3 në Mynih.


