Reagon OKB: Po ndjekim nga afër çështjen e Selami Simsek

schedule14:04 - 26 Janar, 2020

schedule 14:04 - 26 Janar, 2020

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar për rastin e shtetasit turk, Selami Simsek. Gjykata Penale e Tiranës pranoi pak ditë më parë kërkesën për gjykim të shkurtuar për shtetasin Simsek, i cili akuzohet për falsifikim vize.

Teksa nesër pritet të mbahet seanca e radhës për shtetasin turk, OKB bën me dije se po e ndjek nga afër këtë çështje.

Kanë qenë familjarët e Simsek ata të cilët kanë aplikuar në OKB për ta regjistruar si çështje të të drejtave të njeriut. Ndërsa OKB u është përgjigjur se janë duke e ndjekur nga afër  këtë çështje.

Selami Simsek është ndaluar në Rinas, teksa po tentonte të largohej nga vendi ynë me një vizë kanadeze të falsifikuar, për të cilën, sipas prokurorisë ka paguar 5 mijë euro.

Simsek është ndaluar për të njëjtën akuzë me një bashkatdhetar të tij, Harun Çelik.  42-vjeçari Çelik u deportua drejt Turqisë më 1 janar të këtij viti nga autoritetet shqiptare, me një procedurë që ende është e paqartë, ndërsa avokatët e tij kanë kërkuar nga policia e shtetit informacion zyrtar.

Prej ndalimit, Selami Simsek ka qenë në paraburgim dhe hetimi për të ka vijuar për falsifikim të dokumenteve.

Vëmendja është e lartë për këtë çështje, pasi bashkatdhetari i tij, mësuesi turk Harun Çelik, pas vuajtjes së dënimit për falsifikim dokumentesh, u deportua drejt Turqisë, edhe pse kishte kërkuar azil politik. Çelik konsiderohet si mbështetës i lëvizjes Gyleniste, e cila është cilësuar nga presidenti Erdogan si organizatë terroriste që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Nuk dihet nëse Shimshek do të ketë të njëjtin fat si Çelik, i cili u deportua me procedura urgjente drejt vendit të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!