Reagon këshilltari i Thaçit: Historinë e Kosovës s’e ndryshon lapsi i një gjykate

schedule09:10 - 25 Qershor, 2020

schedule 09:10 - 25 Qershor, 2020

Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku ka reaguar pas ngritjes së akt-akuzës për kreun e shtetit.

Ai ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet nga “lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”.

Çollaku i bëri këto komente në Twitter, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila e ngarkon presidentin e Kosovës, Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të tjerë me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte,

“Liria jonë është vulosur nga gjaku i luftëtarëve të lirisë, mijëra civilë të pafajshëm, të vrarë brutalisht, dhe dhimbja e mijëra grave të dhunuara. Kjo është historia jonë e dhimbshme, por krenare. Nuk mund të ndryshohet nga askush. Madje as nga lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”, tha Çollaku në reagimin e parë nga Presidenca e Kosovës.

Ndërkohë, ende nuk ka një reagim nga vetë presidenti Hashim Thaçi. Nga ana tjetër, mëngjesin e sotëm kryeministrin Avdullah Hoti njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit me palën serbe në Washington. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!