Reagon FFK: Respekt për simbolet tona, Spanja nuk bën dot në kokën e vet

schedule18:58 - 9 Mars, 2021

schedule 18:58 - 9 Mars, 2021

Fundi i muajit mars sjell rikthimin e kombëtareve në fushën e blertë. Kosova luan miqësore me Lituaninë (24 mars), teksa më pas është radha e dy takimeve për eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Dardanët presin Suedinë në Prishtinë (28 mars), teksa tre ditë më vonë udhëtojnë drejt Spanjës për t’u ndeshur me djemtë e Luis Enrique.

Spanja është ndër të paktat vende evropiane që nuk e kanë njohur akoma Kosovën si shtet të pavarur. Takimi do të luhet në Sevilla, por Marca raporton se iberikët nuk do e trajtojnë kundërshtarin si shtet sovran. Me shumë mundësi flamuri i Kosovës nuk do të jetë përkrah atij spanjoll në stadiumin andaluzian, teksa himni kombëtar i Kosovës do të prezantohet si muzika e dhuruar nga territori i Kosovës.

Një gjë e tillë ka sjellë reagimin e Muharrem Sahitit, drejtorit sportiv të përfaqësueses së Kosovës. Ky i fundit ka bërë një prononcim për gazetën Express, ku ndër të tjera thotë: “Nuk pranojmë në asnjë formë që të mos respektohen simbolet e shtetit tonë. Jemi në kontakt të përditshëm me UEFA-n, Spanja nuk mund të vendosë në kokë të vet“.

Ndërkohë, ka dalë emri i futbollistit të parë që do të jetë pjesë e listës së Kosovës për tre duelet e radhës. Ai është Betim Alimi. Ish-portieri i kampionëve të Dritës, është pjesë e ekipit të Olympic Donetsk. Me anë të një postimi në Twitter, klubi ukrainas zbulon se “gardiani” shqiptar ka marrë ftesë zyrtare nga Kosova dhe do të grumbullohet nga trajneri Challandes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!