Reagojnë trajnerët, Noka: Fituam me këshillat e Duros. Ndreu nuk e fsheh zhgënjimin

schedule16:19 - 23 Tetor, 2021

schedule 16:19 - 23 Tetor, 2021

Ndeshja mes Kastriotit dhe Laçit është mbyllur me shifrat 1-0 në favor të kurbinasve. Për skuadrën e Laçit kjo është fitorja e parë për këtë sezon dhe vjen menjëherë kur në krye të skuadrës u vendos Sero Noka.

Në një intervistë për “Supersport” pas ndeshjes Noka shprehet, “Ishte një moment i vështirë për ne, pasi vinim nga disa rezultate negative, Unë riktheva skuadrën në lojën që bënim në kohën e trajnerit Shpëtim Duro dhe me ndihmën e këshillat e tij në distancë, ia dolëm të marrim fitoren. Kemi grup të plotë dhe nuk kemi nevojë për lojtarë të tjerë, Problemi i vetëm i Laçit ishte psikologjik, por besoj që me rezultate do ta kalojmë”.

Për Kastriotin kjo është një humbje që dhemba, duke pasur parasysh se luftoi gjatë gjithë ndeshjes edhe pse fati ditën e sotme nuk ishte me krutanët të cilëve iu anulua edhe një gol, për pozicion jashtë lojë. Për trajnerin Ndreu kjo humbje nuk duhej, edhe pse ata e dinin forcën e skuadrës së Laçit.

“Ishte një ndeshje e vështirë dhe ua kisha thënë lojtarëve edhe më përpara, që të mos gënjehen nga renditja e Laçit. Kundërshtari ka shumë cilësi dhe unë doja shumë të mos e humbnim këtë ndeshje. Deri diku e arritëm, pasi u përballëm si të barabartë dhe ndoshta edhe superiorë në momente të caktuara, por më vjen keq për atë episod që na ndëshkoi”, deklaroi trajneri Ndreu për “Supersport”.