“Një kryeministër normal do të kishte dhënë dorëheqjen sapo të kishte lexuar raportin e DASH.” Kështu shprehet Enkelejd Alibeaj ndërsa komenton reagimin e kreut të qeverisë pasi DASH vendosi sanksione ish-deputetin socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi.
Alibeaj thotë se nga kreu i qeverisë nuk pritej gjë tjetër veç “batutave bajate me humor shterpë për t’i ikur thelbit të raportit.” Sipas Alibeajt, qeveria me në krye Ramën e korruptuar dhe ai vetë është koka e korrupsionit.
ENKELEJD ALIBEAJ NË FACEBOOK
“Një kryeministër normal që pushtetin e ka fituar me votë të lirë, sapo të kishte lexuar raportin e DASH, do të kishte dhënë dorëheqjen. Qoftë për moral politik e qoftë për interes publik.
Por shqiptarët as e kanë normal dhe as të zgjedhur me votë të lirë, por me votë të blerë nga “non grata”-t e grupet kriminale me të cilët ndan pushtetin prej 8 vitesh.
Nuk pritej që Edi Rama të thoshte asgjë tjetër veç batutave bajate me humor shterp për ti ikur thelbit të raportit: Qeveria e tij është e korruptuar në çdo qelizë të saj dhe ai e ka pushtetin e vjedhur dhe ai vetë është koka e këtij korrupsioni.
Edi Rama nuk duhet të jetë pas një viti në qeveri, pasi do të thotë sërish se raporti i ardhshëm, është copy paste i vitit të shkuar.
Peshku (i madhi) ka plasur me kohë sheshit, e po qelb dynjanë! Ashtu si plehrat rreth inceneratorëve. Njerëzia ka zënë hundët, vetëm Rama ka zënë sytë!”
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!