RCC mbledh investitorë evropianë në Ballkan, Pranvera Kastrati: Rajoni po bëhet një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm

schedule19:00 - 22 Nëntor, 2022

schedule 19:00 - 22 Nëntor, 2022

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi i Investimeve i 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF), mblodhën investitorë evropianë nga Austria, Kroacia, Italia dhe Sllovenia, agjencitë e promovimit të investimeve të BP-së, ministritë përgjegjëse për politikat dhe promovimin e investimeve, organizatat rajonale dhe institucionet financiare ndërkombëtare, për të paraqitur mundësitë dhe përfitimet e investimit në rajon në Konferencën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, sot në Lubjanë.

“Që nga viti 2019, sipas raportit të Bankës Botërore, FDI- të (Investimet e Huaja Direkte) kanë kontribuar 4.9% të PBB-së së rajonit, 5.3% në 2020, 5.8% në 2021 dhe këtë vit vlerësohet të kontribuojnë me 5.2%, me një përqindje të ngjashme të parashikuar edhe për dy vitet e ardhshme. Ndërsa nuk mund të garantojmë se si do të duket perspektiva ekonomike në vitet në vijim, jemi të sigurt se Ballkani Perëndimor po bëhet një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm investimi dhe një vend ku transparenca, gjithëpërfshirja dhe besimi ndahen dhe promovohen gjerësisht. Kjo e ardhme nuk mund të ndërtohet brenda natës, por mund të konsolidohet vazhdimisht në zona të ndryshme, përmes transportit, lëvizshmërisë, roaming-ut, inovacionit e industrisë. Që bashkëpunimi rajonal është e vetmja mënyrë praktike mendojnë edhe 76% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe 69% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor, të cilët e kuptojnë dhe e mbështesin rëndësinë e punës në grup për arritjen e sfidave që vijnë nga jashtë dhe brenda rajonit”, tha Pranvera Kastrati, koordinatorja e Tregut të Përbashkët Rajonal në fjalën e saj hyrëse.

“Nisja e Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor, ishte një iniciativë për të ftuar të gjitha dhomat e tregtisë dhe jo vetëm, për të bashkëpunuar së bashku e për të krijuar një perceptim të një rajoni të suksesshëm, ku njerëzit mund të fitojnë para, dhe jo të një rajoni nga ku njerëzit duan të largohen. Jetojmë në dy realitete. Realiteti politik është një histori konflikti dhe mungese besimi ndërsa ai i biznesit dhe bashkëpunimit rajonal është më pozitiv dhe me histori të vërteta suksesi. Politika nxit titujt kryesorë në media duke e bërë kështu edhe më të vështirë depërtimin e lajmit të mirë që vjen nga përpjekjet e biznesit. Qëllimi ynë është të tregojmë se bashkëpunimi mund të krijojë kapital, të krijojë vende të reja pune dhe të ndërtojë besim, sepse realiteti i biznesit gjithmonë fillon nga ajo që na bashkon.” tha Marko Cadez, President i Bordit Drejtues të WBCIF.


Duke theksuar se është koha për besim të ndërsjelltë, e duke ftuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të ndajnë një vizion të njëjtë për një rajon të sukseshëm Marko Cadez ia dorëzoi kryesimin e Bordit Drejtues të WBCIF, Lulzim Rafunës.

Në konferencë uparaqitën prezantime të përbashkëta të potencialeve investuese të WB6, por edhe dëshmi të investitorëve kryesorë, si NLB Group, KOLEKTOR CCL, ATLANTIC GRUPA, SOL GROUP / TGS TEHNICKI GASOVI, SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, MIKROELEKTRONI, e shumë të tjerë, duke u fokusuar në përvojën e fituar, si dhe në çështjet kyçe të qeverive të Ballkanit Perëndimor në dritën e zhvillimeve të reja globale dhe rajonale.