Ratko Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm, vjen reagimi nga SHBA

schedule17:40 - 8 Qershor, 2021

schedule 17:40 - 8 Qershor, 2021

Ish-gjenerali serb Ratko Mlladiç, u dënua këtë të martë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për genocid, krimet lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas vendimit nga Apeli i Gjykatës së Hagës, ka reaguar edhe Ambasada e SHBA në Sarajevë, e cila ka mbështetur vendimin e “Hagës”.

Lexo edhe: Apeli i Gjykatës së Hagës lë në burg të përjetshëm “kasapin e Bosnjës”

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Twitter”, shkruan: Ambasada e SHBA-së në BiH mirëpret vendimin e sotëm të Dhomës së Apelit Ndërkombëtar të Komeve të Bashkuara për dënimin e Ratko Mlladiç. Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies së individëve përgjegjës për vuajtjet e popullit të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa sjell drejtësinë e shumëpritur për viktimat dhe familjet e tyre.

Ne i nxisim të gjitha palët që të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të përkushtohen në bashkëjetesë paqësore për të ardhmen e një Bosnjë Hercegovine të qëndrueshme që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”, shkruhen në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Sarajevë.

Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm për genocidin e Srebrenicës, pushtimin e Sarajevës dhe krime të tjera të kryera gjatë konfliktit në Bosnje në periudhën 1992 – 1995.

Gjatë luftës në Bosnje në vitin 1995, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Procesi kundër Mlladiçit ka nisur më 16 maj të 2012, ndërsa aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik 1995.

Në vitin 2017 gjykata shpalli fajtor ish-ushtarin serb për 10 akuza, mes të cilave dhe krime lufte e kundër njerëzimit.  Pas 16 vitesh në arrati, në vitin 2011 ish-kreu ushtarak i serbëve të Bosnjës, u arrestua, në një fshat në Serbi./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!