Analisti Frrok Çupi thotë se Shqipëria, me ratifikimin këtë të enjte në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët me Italinë, tregoi se merr përgjegjësi të mëdha.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se vendi ynë është kthyer në një shtet të besuar për vendet perëndimore të Bashkimit Evropian.
Lidhur me votat e dhëna nga Partia Drejtësi, Integrim, Unitet (PDIU), Çupi shtoi se kjo forcë politike ka perceptuar më shpejt se pjesët e Partisë Demokratike, se të tilla çështje zgjidhen në raport me vendet fqinje.
“Ishte një gjë që vërtet pranon mjaft komente, analiza, kemi të bëjmë me një stad të ri te politikës shqiptare. Shqipëria nuk është anëtare, por është një shtet i besuar i Perëndimit, i Bashkimit Evropian. Siç tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në vitet e fundit Shqipëria ndodhet pranë vendeve të Perëndimit, Bashkimit Evropian, kur ata kanë probleme, Kjo është shumë e rëndësishme për një vend të harruar dikur, problematik. Është simbolikë. Pse votoi PDIU? Është një parti që ka perceptuar me shpejt se pjesët e Partisë Demokratike, çështjet e vendit zgjidhet në raport me botërorët.
Për të qenë pranë fuqive të mëdha, duhet shërbyer populli, legjislacioni hqiptar. Nuk mjafton të qëndrosh pranë Amerikës vetëm duke bërë foto në Amerikë. Kjo votë tregon se Shqipëria merr përgjegjësi të mëdha”, theksoi ai./abcnews.al