Rasti “Pacienti”, Osmani: Dorëzova dokumente që sqarojnë situatën

schedule21:16 - 13 Tetor, 2018

schedule 21:16 - 13 Tetor, 2018

Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani ka bërë me dije se ka dorëzuar në prokurori një sërë dokumentash, që sipas tij hedhin dritë mbi të vërtetën faktike të rastit “Pacienti”. Çështja në fjalë është hapur nga prokuroria speciale, që e akuzon Osmanin për abuzim me detyrën.

Zv/Kryeministri në Qeverinë e Maqedonisë Bujar Osmani ka njoftuar se ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme lidhur me hetimin “Pacienti” që PSP-ja ka ngritur dhe ku ai paraqitet si i dyshuar.

Bujar Osmani: “Në ditët e fundit kam mbledhur dokumentacionet përmes të cilave vlerësoj se sqarohet situata faktike. Dokumentacion që tregon se nuk ka asnjë shenjë të punës së paligjshme dhe që tregojnë qartë se kam punuar sipas ligjit”.

Osmani ka theksuar se roli i PSP-së është i një rëndësie të madhe dhe se mbetet në parimin për përkrahje të këtij institucioni duke besuar në neutralitet.

“Nga prokuroria mora siguri se materialet e dorëzuara përbëjnë një kthesë në hetim dhe kontribut të rëndësishëm. Jam i bindur se në një afat të shkurtër kohor hetimi do të rrumbullakoset, pasi nuk ka asnjë punë të paligjshme”.

PSP-ja përmes një komunikate, duke prezantuar gjashtë hetimet e reja, dyshon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Osmani se së bashku me 18 persona tjerë kanë nënshkruar në mënyrë të jashtëligjshme furnizime për ndërtime në objekte shëndetësore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!