Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pritet të ndërmarrin veprime të koordinuara kundër Rusisë, për shkak të helmimit dhe ndalimit të udhëheqësit të opozitës, Aleksei Navalny.
Burimet diplomatike evropiane thanë se shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar tashmë sanksione kundër katër zyrtarëve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në Rusi, të përfshirë në ndalimin e kritikut të Kremlinit.
Dy burime në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters dhe rrjetit televiziv CNN se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të marrin masa kundër Rusisë për helmimin e Navalnyt.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk dha detaje për sanksionet e mundshme.
Sipas dy burimeve evropiane që kanë folur në kushte anonimiteti për agjencinë franceze të lajmeve AFP, emrat e individëve të shënjestruar nga BE-ja do të botohen në gazetën zyrtare të bllokut më 2 mars.
Burimet konfirmuan raportet e mëparshme se zyrtarët janë: Aleksandr Kalashnikov, administrator federal i burgjeve; Aleksandr Bastrykin, shef i Komitetit Hetues të Rusisë; Igor Krasnov, prokuror i përgjithshëm; dhe Viktor Zolotov, drejtor i Gardës Kombëtare.
Ata katër do të jenë individët e parë që do të shënjestrohen nën regjimin e ri të sanksioneve të të drejtave të njeriut të BE-së, i cili ka hyrë në fuqi në muajin dhjetor.
Navalny është arrestuar në Moskë në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.
Navalny është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorë perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.
Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve. Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg.
Rusia ka mohuar përfshirjen në helmim, por Navalny pretendon se përpjekja për vrasjen e tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje të hënën për një hetim ndërkombëtar të rastit Navalny, duke thënë se provat tregojnë për “përfshirjen shumë të mundshme” të zyrtarëve të Qeverisë ruse.
BE-ja ka ndërmarrë disa sanksione kundër Rusisë, pas helmimit të Nalvanyt, vitin e kaluar. Por, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka lënë incidentin të rrëshqasë pa veprime ndëshkuese.
Administrata e presidentit Joe Biden nuk ka thënë saktësisht se cilat masa synon t’i marrë kundër Rusisë, por ka sugjeruar se do të koordinohet me aleatët evropianë.
Në një fjalim të madh për politikën e jashtme në shkurt, Biden ka thënë se e ka paralajmëruar Putinin se ditët kur Shtetet e Bashkuara i kanë tejkaluar “veprimet agresive” të Rusisë, kanë marrë fund./REL