Rasti “Khashoggi”, një nga vrasësit e dyshuar humb jetën në Arabi

schedule17:30 - 18 Tetor, 2018

schedule 17:30 - 18 Tetor, 2018

Mediat turke kanë bërë te ditur se një pjesëtar i ekipit saudit që gjendej në Stamboll ditën e zhdukjes së gazetarit Khashoggi në konsullatë, ka humbur jetën në një aksident në Riad. Ndërkohë, Uashington Post ka publikuar editorialin e fundit te gazetarit.

Një nga 15 anëtarët e komandos që gjendej në Stamboll në ditën e zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, komandant i forcave ajrore saudite Mashal Saad Al Bostani, u vra në një aksident “të dyshimtë me makinë” në Arabinë Saudite. Kjo u zbulua nga e përditshmja turke Yeni Safak, media pranë qeverisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke pretenduar se vrasësit të dyshuar të gazetarit “mund t’i jetë kërkuar të qëndrojë në heshtje, por ai nuk e ka pranuar këtë”. Gazeta shkruan se autoritetet lokale nuk kanë dhënë detaje lidhur me rrethanat që kanë çuar në vdekjen e ushtarakut 31-vjeçar në Riad, duke rritur dhe më tej dyshimet.

Ndërsa e përditshmja turke “Sabah” ka publikuar disa imazhe të telekamerave të sigurisë në afërsi të konsullatës saudite në stamboll, që konfirmojnë prezencën e një prej njerëzve të besuar të princit Salman. Bëhet fjalë 47 vjeçarin Maher Abdulaziz Mutreb, shoqërues i rregullt i trashëgimtarit të fronit, i parë dhe fotografuar në shoqërin e tij edhe në udhëtime të ndryshme jashtë vendit, në Paris, Madrid dhe SHBA. Ai ka zhvilluar në të kaluarën edhe funksionin e agjentit të inteligjencës në ambasadën saudite në Londër.

Ndërkohë, Uashington Post ka publikuar dhe editorialin e fundit të gazetarit Khashoggi, i cili u zhduk me 2 tetor pasi shkeli në konsullatën Saudite në Stamboll. “Bota arabe po përjeton versionin e saj të Perdes së Hekurt, të imponuar nga të njëjtat forca që qeverisin. Kemi nevojë për versionin tonë të medias së vjetër transnacionale, për t’u informuar për atë që po ndodh në botë. Më e rëndësishmja, duhet të krijojmë një platformë për zërat arabë. Ne vuajmë varfërinë, administrimin e dobët dhe arsimin e ulët, duke krijuar një forum global, të pavarur nga qeveritë nacionaliste që përhapin urrejtje përmes propagandës, njerëzit e zakonshëm do të jenë në gjendje të kuptojnë në mënyrë autonome problemet e shoqërisë së tyre”. Kështu vijon shkrimi I fundit I 59-vjeçarit, i cili është një sulm ndaj shtetit dhe botës arabe, të dominuar nga qeveri autoritare që kontrollojnë me dhunë mediat. Një botë në të cilën, qeveritarët përpiqen me të gjitha mënyrat për të heshtur zërat e lirë dhe të pavarur përmes arrestimeve, kërcënimeve, heqjeve dhe nga puna. Dhe shpesh, siç ka ndodhur me vetë Khashogi-n, duke ndëshkuar zërat kritikë me vdekje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!