Një çift që udhëtoi me avionë të ndryshëm në të njëjtën ditë, madje arriti të mbijetonte kur avionët u rrëzuan.
30-vjeçari Stefano Pirilli i ka shpëtuar aksidentit i padëmtuar, ndërsa e fejuara e tij 22-vjeçare, Antonietta Demasi ka mbetur e plagosur lehtë.
Rastësia djallëzore ndodhi pasi të dy vendosën të udhëtonin veçmas me dy avionë për të fluturuar në Torino për një takim dreke me miqtë të dielën e kaluar.
Sipas Daily Mail, Tecnam P92 Echo Super i 30-vjeçarit u ul në San Gillio pasi hasi vështirësi, ndërsa avioni i 22-vjeçares u rrëzua pak më pas, 25 km larg, në Busano.
Forcat zjarrfikëse shkuan në të dy vendet dhe çifti u dërgua në spital së bashku me pilotët e tyre.
“Jemi me fat që nuk kemi humbur jetën, mendimet tona janë me pilotët që u plagosën. Unë dua vetëm që e dashura ime dhe piloti të bëhen mirë, asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, tha Stefano Pirilli.
“E diela ishte një ditë e përkryer për udhëtime ajrore me diell, ishte mënyra e përsosur për t’u argëtuar. Ishte udhëtimi i parë i Antoniettës dhe më vjen shumë keq që kjo ndodhi”, shtoi ai.