Të gjithë prisnin shumë nga Milot Rashica, por sulmuesi i Werder Bremen dhe shokët e tij nuk zhvilluan një ndeshje pozitive kundër Çekisë. Rashica analizoi “finalen” e humbur në SuperSport Kosova, aty tregon problemet e hasura. 23-vjeçari ka fjalë pozitive vetëm për tifozët, teksa thekson se mungesa e eksperiencës bëri të veten.
“Zhgënjimi është shumë i madh. Nuk ditëm të luanim ashtu siç dimë. Pjesa e parë është ndër më të dobëtat që kemi zhvilluar deri tani. Nuk e di pse ndodhi një paraqitje e tillë, por Çekia luajti shumë mirë. E nisëm mirë pjesën e dytë, shënuam, por nuk e mbajtëm avantazhin.
Ne provojmë të dalim me pasime, por shumë gjëra nuk funksionuan. Humbëm shumë topa në mesfushë dhe sulm. Hasëm vështirësi në daljet para. 15 minutat e para të pjesës së dytë e nisëm mirë, shënuam, por nuk mbajtëm avantazhin. Hijeshia e vetme sot ishin tifozët. Na kanë përkrahur dje dhe sot. Ne i zhgënjyem, por na mbështetën edhe pas humbjes.
Besoj që shumica e lojtarëve nuk kemi zhvilluar shumë ndeshje ndërkombëtare më herët. Ka qenë një përvojë e mirë kjo fazë eliminatoresh, besoj se kemi shumë gjëra të mira për të marrë dhe gjëra të tjera për t’u përmirësuar“, përfundon Milot Rashica. /abcnews.al