Nuk ka kohë për të humbur. Kristian Asllani e thotë edhe vetë se është I lodhur, por duhet të vazhdojë. Futbollisti I kombëtares menjëherë pas prezantimit dhe firmosjes së kontratës, u bashkua me skuadrën e tij, Beshiktash, dhe aty e pati menjëherë një ndihmë.
Njeriu që I ndenji në krah, që I bëri shoqëri që në orët e para dhe që luajti edhe rolin e përkthyesit ishte Milot Rashica.
Lojtari I Kosovës është prej 4 sezonesh në Turqi, fillimisht i huazuar tek Gallatasaraji e më pas I blerë si karton nga Beshiktashi, dhe për Asllanin ky është një plus I madh.
Gjithsesi, pavarësisht ndihmës së Rashicës, mesfushori kuqezi do të duhet që t’ia dalë vetë.
Padyshim që ai u prit si një përforcim i rëndësishëm nga klubi i madh i Stambollit që ndodhet vetëm në vendin e pestë në Superligën e Turqisë, sepse vjen nga Seria A, veçse kohët e fundit nuk është se ka bindur sa duhet.
Huazimi I parë I tij këtë sezon ishte nga Interi tek Torino, gjithnjë në Itali, por klubi piemontez vlerësoi se shqiptari nuk dha atë që pritej. Tek zikaltërit është e qartë se nuk ka më vend, dhe shpresa është që të arrijë të shkëlqejë në futbollin turk.
Duket se karriera e Asllanit është në një udhëkryq, dhe ai duhet të reagojë për të mirën e tij dhe për të kombëtares shqiptare, në të cilën është një nga lojtarët kryesorë.


