Rasëll Uestbruk realizoi një ndeshje të madhe duke ndihmuar ekipin e tij, Oklahomën, që të fitonte ndaj rivalit të fortë, San Antonio. Gjithsesi, lojtari më i mirë i sezonit të kaluar nuk po shkëlqen siç duhet në basketbollin amerikan.
Nuk mund të quhet një sezon aq i madh.
Oklahoma nuk është pretendente për titull, të paktën duke parë renditjen, dhe Rasëll Uestbruk vështirë se do të shpallet sërish numri 1 i NBA-së, por gjithsesi ylli me numrin 0 në fanelë mbetet i veçantë.
Udhëheqësi i skuadrës së tij realizoi një tjetër tripëll dabëll, duke siguruar edhe fitoren ndaj San Antonios 90-87.
Uestbruk shënoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 10 asiste, duke arritur tripëll dabëllin e 7-të të sezonit, jo pak në 22 ndeshje që ka luajtur Oklahoma deri tani.
Ai mbetet lideri i kësaj renditjeje mes basketbollistëve ende aktivë, ndërsa synon të jetë të paktën në podiumin e klasifikimit historik.
Rasëll ka gjithsej 87 realizime të tilla, duke iu afruar vendit të tretë, Xhejzën Kidit që ka 107.
Gjithsesi, Oklahoma nuk është në nivelin që duhej të ishte.
Afrimi i yjeve të tillë si Pol Xhorxh dhe Karmelo Entoni nuk kanë sjellë rritjen e pritur të rezultateve, dhe skuadra e tyre është në vendin e 9-të në Konferencën Perëndimore, me 10 fitore e 12 humbje.
Jo vetëm kaq, por prania e Xhorxhit dhe Entonit ka bërë që Uestbruk të shënojë tani më pak pikë se më përpara.
Gjithsesi, duhet pritur derisa lojtarët e rinj të përshtaten dhe atëherë Oklahoma mund të kthehet në pretendente për titull./abcnews.al