Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela raporton në KLP: 2024 vit i vështirë, por janë arritur rezultate

schedule11:23 - 29 Prill, 2025

schedule 11:23 - 29 Prill, 2025

Kryeprokurori Olsian Çela ka bërë prezantimin në KLP për punën një vjeçare.

Gjatë fjalës së tij Çela tha se viti 2024 ishte një vit me vështirësi, për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve, megjithatë, siç tha ai përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit nuk kanë munguar.

“Gjatë vitit 2024 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha Çela.

Ndërkohë ai veçoi edhe disa nga masat e rëndësishme të ndërmarra.

Bëhet fjalë për; -Ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet detajimit në planin e veprimit

Ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2024” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm si dhe të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare.

Ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë në vitin 2024 mori konsolidimi i procesit hetimor nëpërmjet një kuadri ligjor sa më të plotë e në përputhje me standardet ndërkombëtare, vijimi i  punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, vijimi i  punës për digjitalizimin, hetimi efektiv dhe krijimi i një baze të dhënash të rasteve të pastrimit të parave, monitorimi i veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimi me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale, etj;

Përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit, ku Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar pjesëmarrje aktive në nivel drejtues dhe teknik në takimet periodike, ka kontribuar me informacion analitik mbi zhvillimet institucionale në luftën ndaj kriminalitetit dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut për hartimin e Progres Raportit të Shqipërisë, për Nënkomitetin e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, Udhërrëfyesit të shtetit të së Drejtës, si dhe ka vijuar bashkëpunimin dinamik me ministritë përgjegjëse për kapitujt 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”;

Një kontribut i rëndësishëm i institucionit tonë ka qenë ai në kuadër të hartimit e ndjekjes periodike të ecurisë së masave të strategjive ndërsektoriale dhe planeve të tyre të veprimit si: Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur, Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe planit të veprimit kundër trafikimit të personave, Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Veprimtaria e prokurorive, problematikat dhe çështjet që kërkojnë vëmendje

Në funksion të ruajtjes së nivelit të efektivitetit në veprimtarinë administrative e funksionale të prokurorive, garantimin e paanshmërisë dhe shpërndarjen e ekuilibruar të volumit të punës me urdhrat nr. 18, datë 30.01.2024 dhe nr. 19, datë 30.01.2024, të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar strukturat organike të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasur me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike).

Gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023. Tek kjo shifër e materialeve të trajtuara përfshihen: procedimet e mbartura; procedimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2024 për veprat penale të parashikuara në Kodin Penal; procedimet e rifilluara gjatë vitit 2024; si dhe vendimet e mosfillimit të marra gjatë vitit 2024 pa përfshirë procedimet e regjistruara sipas kodit penal ushtarak.

Gjatë vitit 2024 janë përfunduar 24591 çështje që përbën rritje prej 5 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2023, prej të cilave: 36,72 % janë dërguar për gjykim, 33,89 % janë pushuar, 26,91 % janë pezulluar dhe 2,48 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!