Raporti i OSBE, Basha: Vula e turpit, të hetohen autorët e masakrës së 25 Prillit

schedule12:07 - 27 Korrik, 2021

schedule 12:07 - 27 Korrik, 2021

Një ditë pas publikimit të raportit final të OSBE-së për zgjedhjet e 25 Prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkoi që të ndëshkohen ata, që sipas tij, masakruan procesin zgjedhor.

Lideri i PD-së tha se në të njëjtën ditën kur doli raporti i OSBE-së u liruan disa nga personazhet e dosjes së Shijakut, referuar Astrit Avdylajt i njohur ndryshe si “Niçja”.

25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ishte një masakër zgjedhore, këtë e kemi thënë prej ditës së parë, këtë e panë shqiptarët që kërkonin ndryshimin por që u pengua, me hile, dhunë dhe shantazh.

Këtë e di e gjithë bota demokratike. Raporti është vula e turpit. Blerje masive dhe presion ndaj votuesve, e kemi thënë ne dhe raporti. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe shtetit, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti.

Keqpërdorimi i aseteve publike, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, rritje fiktive e punësimit, presion mbi punonjësit për të votuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit, legalizime në këmbim të votës, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti.

Vjedhja e të dhënave private nga partia në pushtet dhe patronazhistët, e kemi thënë ne, e ka zbuluar media, e konstaton edhe raporti. Kemi depozituar 185 padi në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, por asnjë krim elektoral nuk është ndëshkuar.

Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala, pasi në 25 Prill nuk u dëmtua PD, por Shqipëria dhe shqiptarët.

Drejtësia ka rolin e vet, për të cilin ne kemi vite që e kërkojmë. Ditën kur doli raporti u liruan disa nga personazhet e dosjes 339” tha Basha./ Abcnews.al