Raporti i OKB-së: Pandemia e ka kthyer botën 5 vite pas

schedule10:33 - 8 Shtator, 2022

schedule 10:33 - 8 Shtator, 2022

E përballur me një seri krizash të paprecedentë, kryesisht atë të pandemisë COVID-19, bota u kthye pesë vite pas për sa i përket zhvillimit njerëzor sipas një raporti të OKB -së .

Për herë të parë që nga krijimi i tij më shumë se 30 vite më parë, indeksi i zhvillimit njerëzor,  i cili merr parasysh jetëgjatësinë, arsimin dhe standardet e jetesës ka rënë për dy vite radhazi në 2020 dhe 2021, sipas raportit të Programit të Zhvillimit të OKB-së. (UNDP).

“Kjo do të thotë që ne vdesim më herët, jemi më pak të arsimuar dhe të ardhurat tona janë më të ulëta, “shpjegoi shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

“Me këto tre parametra mund të krijohet një ide se pse njerëzit ndihen të dëshpëruar, të inatosur, të shqetësuar për të ardhmen,” shtoi ai.

Ky tregues ka qenë vazhdimisht në rritje prej dekadash. Shkaku kryesor është COVID-i, por edhe fatkeqësitë klimatike që po shtohen dhe krizat që pasojnë njëra-tjetrën pa i lënë njerëzve hapësirë ​​për t’u rikuperuar.

“Ne kemi përjetuar katastrofa në të kaluarën, ka pasur konflikte në të kaluarën, por akumulimi i gjithçkaje me të cilën po përballemi tani është një pengesë e madhe për zhvillimin e njerëzimit”, theksoi Steiner.

Kjo pengesë ka të bëjë me më shumë se 90% të vendeve, megjithëse ka ndryshime. Në pozitë më të mirë janë Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, ndërsa në vendet e fundit të listës janë Sudani i Jugut, Çadi dhe Nigeria.

Dhe ndërsa disa vende kanë filluar të rikuperohen nga efektet e pandemisë, shumë të tjera në Amerikën Latine, Afrikën Sub-Sahariane, Azinë Jugore apo Karaibe nuk patën kohë të rikuperoheshin përpara se të goditeshin nga një krizë e re: lufta në Ukrainë.

Me këtë luftë që ka implikime të mëdha për energjinë dhe sigurinë ushqimore, “perspektiva për vitin 2022 është padyshim e zymtë,” tha Steiner.  Rënia e indeksit të zhvillimit njerëzor është kryesisht për shkak të uljes së jetëgjatësisë me më shumë se një vit e gjysmë nga 2019 në 2021 (nga 71.4 vite në 2021 kundrejt 73 në 2019), raporton abcnews.al.

“Pavarësisht rimëkëmbjes së konsiderueshme të ekonomisë në vitin 2021, jetëgjatësia është ende në rënie”, vuri në dukje autori i raportit Pedro Conceição gjatë një konference për shtyp, duke e quajtur këtë prirje “një tronditje të paprecedentë”.

“Në SHBA ka një ulje të jetëgjatësisë për dy vite, në vendet e tjera ulja është edhe më e madhe”, shtoi ai.

“Njerëzit kanë humbur besimin e tyre,” vuri në dukje Steiner. “Nuk mund të vazhdojmë me rregullat e lojës së shekullit të kaluar, të cilat bazoheshin në zhvillimin ekonomik”, shtoi ai. “Ndryshimi që na nevojitet kërkon tregues të rinj: përdorim i reduktuar i karbonit, më pak pabarazi, më shumë qëndrueshmëri…”

Raporti sugjeron që komuniteti global duhet të fokusohet në tre akse: investimet, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë dhe në përgatitjen për pandemitë e ardhshme, garanci për të absorbuar goditjet dhe inovacione për të forcuar kapacitetet për t’u përballur me krizat e ardhshme.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!