Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani ka thënë se rezultatet që kanë dal sot në lidhje me helmimin në Deçan nuk japin pistë se helmimi ka ardhur nga uji.
Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se infeksioni nuk është nga uji por se analiza të tjera do të vazhdojnë të bëhen për të gjetur shkakun.
“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit hidrik. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka infeksione hidrike. Por, kjo do të dal pas analizave permanente si të ujit ashtu edhe të analizave të pacientëve. Do të informohemi me kohë”, tha Ramadani.
“Të gjitha infeksionet që kanë të bëjnë qoftë me rrugë hidrike, ushqim apo infeksione të tjera janë nën monitorim,” u shpreh ai.
“Gjithashtu është në hulumtim edhe çështja e ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të pijes i cili në vazhdimësi po monitorohet për cilësinë e ujit të pijes” shtoi drejtori i IKSHPK-së.