Rama sjell opinionin e Papagjonit për Teatrin

schedule17:00 - 12 Gusht, 2019

schedule 17:00 - 12 Gusht, 2019

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke sjellë një opinion të studiuesit Josif Papagjoni. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se kritiku i artit, profesori, Josif Papagjoni, ka botuar 15 libra për teatrin, dramaturgjinë, një sërë dramash dhe plot artikuj e studime mbi teatrin dhe personalitetet e skenës.

Sipas qëndrimit të profesor Papagjonit të postuar nga Kryeministri, në vendin e Teatrit Kombëtar duhet të bëhet një godinë e re teatrore. “Më thoni një teatër në Ballkan, që ndodhet në këtë gjendje? Kur shoh këto pamje, më shtohet dhjetëfish bindja se aty duhet ngritur një teatër i ri. Nëse ai projekt është i vërtetë, atëherë jam i lumtur si spektator, si kritik, por edhe si popull, se teatri nuk është vetëm për aktorët, teatri është publiku”, shkruan kreu i qeverisë, referuar opinionit të Papagjonit.

Më tej, sipas qëndrimit të kritikut të artit, godina e Teatrit nuk mund të rikonstruktohet për të qenë në kushtet e një teatri bashkëkohor. “Kur shkoj atje tani, mban era myk, lagështirë. Si mund ta heqim ne lagështirën? Bëj një mijë rikonstruksione, era e lagështirës nuk hiqet; ajo është godinë e kalbur. Pyetja që duhet të shtrojmë është: A mund ta ftojmë këtu trupën e Berlinit të japë një shfaqje? A mund të bëjmë një festival europian në këto kushte? Një produkt të Mbretit Lir apo Hamletit? Pra, jam shumëfish me idenë që atje duhet një teatër i ri”, përfundon opinioni i Papagjonit të postuar nga Kryeministri Rama./ABC News Albania 24/7