Shënimet e javës në podcast, kryeministri Edi Rama i nisi me një urim për besimtarët bektashinj për Sulltan Nevruzin, dhe besimtarëve myslimanë për Fiter Bajramin.
“Këto shënime sot natyrisht që nuk mund të nisnin përveçse me urimin për dy festa të bekuara në këtë truall të vëllazërisë fetare, që është Shqipëria jonë. Dy festa, të cilat këtë vit përkojnë me ditët që çelin pranverën, Fiter Bajramin dhe Ditën e Nevruzit.”
Rama tha se reformat në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, po japin fryte tek ekonomia e vendit.
“Në Shqipërinë 2030 pritet një rritje prej rreth 32% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, çka na vendos në grupin kryesor të ekonomive me rritjen më të qëndrueshme, por edhe më të lartë gjithmonë sipas atyre organizmave, jo sipas thjeshtë qeverisë shqiptare.”
Por tani është kriza me rritjen e çmimit të naftës. Rama siguroi se bordi i transparencës dhe task forca nuk do të lejojnë abuzime në tregun shqiptar.
“Wshtë ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.”
Por prioritet i qeverisë janë pensionistët. Edhe me uljen e akcizës, të ardhurat do të shkojnë për ti mbrojtur.
“Në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët.”
Shqipëria shënoi 1 pikë rritje në raportin e Freedom House, dhe për kryeministrin vendi ynë aktualisht është më i vlerësuari për shkallën e lirisë në raport me gjithë vendet e rajonit,
“Vendi ynë ka shënuar, jo vetëm një përmirësim në raport me më parë, por është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë. Dhe ky rezultat na vendos në krye, përpara Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Serbisë, duke reflektuar edhe një progres në raport me rajonin.”
Shënimet e kryeministrit u bënë publike vetëm 9 orë para protestës se Sali Berishës ditën e Sulltan Nevruzit. E vetmja gjë qe nuk u përmend apo nga komentua nga Edi Rama.


