Rama për Tahirin: E neveritshme dhe shokuese ç’ka dalë nga biseda mes kriminelëve

schedule16:20 - 17 Tetor, 2017

schedule 16:20 - 17 Tetor, 2017

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me përgjimet në Itali duke e cilësuar si të neveritshme dhe shokuese çfarë ka dalë nga biseda mes dy kriminelëve. Duke iu referuar implikimeve që hetimet përtej Adriatikut mund të kenë edhe në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Kryeministri Rama shkruan se e njeh ish-vartësin e tij si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. “Por – shton Rama – Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën dhe asgjë përveç të vërtetës. Prandaj – vijon Kryeministri – të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet”. Duke iu referuar Qeverisë së re, në të cilën Tahiri nuk bën më pjesë, Rama rikujton se ajo “është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë që zgjedh rrugën e krimit”. Kryeministri mbyll reagimin në Facebook duke pohuar se nuk do të ketë asnjë luhatje apo dyshim dhe lufta me krimin do të vazhdojë çdo ditë me më shumë forcë.

Më herët, kreu i Opozitës, Lulzim Basha, i bëri një thirrje kryeprokurorit Llalla që të mos të takohet me Tahirin, të cilin e cilëson si të dyshuar, por ta vendosë atë para përgjegjësisë penale.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!