Protesta marshim e mbajtur nga opozita mbrëmjen e djeshme nuk ka kaluar pa u komentuar nga Kryeministri Rama. Ai është shprehur se mbrëmë opozita bëri një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit.
“Mua nuk më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr ndaj institucioneve. Goditjet e djeshme ndaj Drejtorisë së Policisë së Tiranës apo edhe Parlamentit rrezikuan jetën e uniformave blu. E djeshme ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim dhe ankth për qytetarët, në gjithë trajektoren e marshimit absurd që u zhvillu dje. As me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe as rrëzohet qeveria. Bombat molotov, kapsulat dhe fishekzjarri janë një program qeverisës, por përbejnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sy të botës dhe për të goditur ekonominë e vendit. E kam thënë dhe e them se asgjë nuk ndryshon në qeveri dhe në kabinet me këto marshime, të gjitha të tjerat mund të ndryshojnë”.
Më tej Rama iu drejtua me një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë pjesë dhe do marrin pjesë në protestat e opozitës.
“Përsëri dua t’u bëj thirrje atyre që u venë nga pas këtyre; Nuk janë ata udhëheqësit e verbër që u dëmtohet ekonomia e tyre familjare. Nuk janë pushimet e tyre që dëmtohen, nuk janë xhepat e tyre që shpohen dhe as fëmijët e tyre që vuajnë mungesën e të hollave që tret kjo lloj qasje , por në radhë të parë jeni ju që i ndiqni pas. Sot ka një gjyq për të arrestuarit e të shtunës. Janë të gjithë njerëz të zakonshme. Njerëz të manipuluar dhe të nxitur për të bërë dhunë dhe do e pyesin veten se për kë e bëra dhe kujt i shërbeva dhe çfarë fitova. Të tjerët pas tyre duhet të pyesin veten se për këtë po shkoj të shkel ligjin të vë zjarr dhe të përballem me ndëshkimin që jep ligji për këto raste”, tha Rama./abcnews.al