Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në hapjen e fushatës elektorale ka ironizuar Partinë Demokratike për grumbullimin që ka sjellë në hapjen e fushatës.
Rama në fjalën e tij është shprehur se njerëzit përmes ekranit e kanë bërë qartë dallimin në lidhje me kartolinat që u janë ofruar këtë të enjte në hapjen e fushatës elektorale të dy partive kryesore.
“Sot ne nisim fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment që nga dita që kemi marrë mandatin tonë të parë sepse ndryshe nga çfarë ndodhte në të shkuarën ne që nga dita e parë kemi qenë në lëvizje dhe përpjekje të vazhdueshme. Sot zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit dhe ne jemi këtu të gjithë sëbashku për të respektuar të gjithë sëbashku ku demokracia na imponon të dalim para popullit për të ndarë me njerëzit ato që kemi bërë dhe atë që mendojmë se do të bëjmë. Ne që jemi mësuar që të kalojmë përmes këtyre detyrimeve që janë dhe një nga pjesët më të bukura të jetës politike që shkon te njerëzit dhe sëbashku me njerëzit ndan energjinë e madhe që prodhon një ndeshje, jemi çuditshëm sepse e tillë është dhe koha.
Ndryshe nga herët e tjera jemi këtu për të bërë përpjekjen tonë serioze që ndërkohë që bëjmë detyrën të respektojmë dhe rregullat e kohë. Në këtë veçori të veten të paparë dhe të papërsëritshme më parë uroj që në pjesën tjetër të jetës sonë ta shikojmë si një moment që na jep mundësinë të bëjmë një fushatë që jo vetëm flasim por edhe dëgjohemi ku fjala peshon më shumë sesa gjuajtja e saj në një turmë të madhe dhe njerëzve u jepet mundësia që të ndjekin me kujdes ato që ne themi.
Në këtë sfidë ne kemi mundësinë që të bëjmë një dallim shumë të madh siç po e bëjmë dhe sonte. Sonte ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë dhe mjafto që ti shikosh dhe do e dallosh ndryshimin e madh dhe hendekun e madh që ndan ne dhe ato që ndan marrëdhënie tonë me ato dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, ligjin dhe rregullat që i kemi vënë të gjithë sëbashku dhe i kemi pranuar dhe mbi të gjitha njerëzit i kanë pranuar dhe zbatuar ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin e ligjin“, tha Rama./ abcnews.al.