Rama inspekton punimet e nënstacionit elektrik në “Gjirin e Lalzit”

schedule12:17 - 30 Mars, 2019

schedule 12:17 - 30 Mars, 2019

Me nisjen e sezonit të ri turistik Gjiri i Lalzit do të ketë nënstacionin e ri elektrik. Operatori i Sistemit të Energjisë Elektrike ka investuar 10 milionë euro për të garantuar furnizimin me energji të bregdetit. Punimet u inspektuan nga kryeministri Edi Rama.

Që prej vitit 1967 në këtë zonë nuk ishte kryer asnjë investim në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, por shumë shpejt “Gjiri i Lalzit” do të ketë nënstacionin e ri. Punimet që po kryhen u inspektuan nga kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga Drejtori i OSHEE-së Ardian Çela.

“Duke pasur parasysh zhvillimin në këtë zonë, kemi nisur me nënstacionin që është 460 milionë lekë (të reja), investim i OSHEE-së. OST-ja do vijë me linjën e tensionit të lartë 110 kë. Nga ky moment, ne kemi nisur 3 fiderat e parë. Janë 8 fidera të tjerë që do mbulojë kjo zonë, Maminas, Sallmone, Hamallaj, Gjiri i Lalzit, Ishëm, Kepi i Rodonit. Mbulon për vitet e ardhshme të gjithë zhvillimin turistik të kësaj zone. Është një investim që shkon në 10 milionë euro. Sezonin e ardhshëm turistik kjo zonë nuk ka më problematikë”.

Ky investim konsiderohet i domosdoshëm nga Kryeministri Edi Rama dhe në kushtet kur turizmi në këtë zonë po pëson zhvillim.

“Është zonë me shumë perspektivë zhvillimi turistik dhe sidomos ndërtimi i hoteleve të reja, me gjithë ato kapacitete e nevoja, e bën domosdoshmëri që të ketë furnizim normal me energji”

Nënstacioni do të përfshihet në sistemin e ri SCADA, i cili ofron kontroll online të rrjetit dhe do të furnizojë me energji elektrike plazhin e “Gjirit të Lalzit”, zonën e “Manzës”, “Ishmit” dhe deri tek “Kepi i Rodonit”. Në Durrës, OSHEE ka investuar gjatë 4 viteve të fundit rreth 5.6 miliardë lekë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!