Rama homazhe për Ismail Qemalin: I pavdekshëm, u dha dorën atyre që nën mëngë fshihnin kamën

schedule11:55 - 16 Janar, 2021

schedule 11:55 - 16 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë e ka nisur me një homazh për përvjetorin e lindjes së Ismail Qemal Vlora, duke e vlerësuar atë si themeluesin e shtetit shqiptar.

Shefi i qeverisë mes rrjeshtave në homazhin e tij për Ismail Qemalin, shkruan se ai e çau me jetën e tij një shteg që sot është udhërrëfim i sigurtë për këdo dëshiron që Shqipërisë t’i jetë shërbestar.

Ndër të tjera në postimin e tij në Facebook, Rama shkruan se një trashëgimi të vyer e të rrallë ka lënë pas rilindasi i shquar, teksa përmend rolin e tij në bisedimet me fuqitë e mëdha, kur bëhej fjalë për kufijtë e Shqipërisë.

Postimi i plotë:

HOMAZH

Njeriu që fati zgjodhi për ne, për të vendosur mbi kryet e Nënës Shqipëri, kurorën e sovranitetit, ishte një shqiptar i kurorëzuar nga virtutet dhe hiret. Edhe jetën e mbylli, si një hero i qetë, nën palmën e martirit. Sado larg të shtrihet vështrimi ynë në histori dhe në kohë, do të shëmbëllejë gjithmonë e bardhë fytyra e hijshme dhe ogurmirë e kasnecit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës.

Vetmitar e megjithatë kurdoherë me dishepuj, shqiptar unik e kozmopolit që kur i thonë ha bukë krejt më vëte, Ismail Qemal Vlora çau me jetën e tij një shteg që sot është udhërrëfim i sigurtë për këdo dëshiron që Shqipërisë t’i jetë shërbestar.

Oxhak i vjetër, por mendjehapur, luajal, por i pavarur, i përkushtuar ndaj ideve, por i lirë dhe pragmatik në shërbim të më të mirës dhe më të drejtës, e jetoi me pasion dhe vendosmëri një jetë të shënuar nga provania duke u bërë shembull i lartësive njerëzore dhe morale për tërë brezat e mëpastajme.

Me dashuri u martua me një zonjë jo të fesë së tij, prej dashurisë la të mirat e një pushteti të trashëguar, për, siç i shkruan trashëgimtarit të Osmanit, “të bërë diçka për vendin tim, Shqipërinë”.

Që shqiptarëve t’u mbetej në fund midis tyre, të paktën atdhe-dashuria, shpërfilli deri pushtetin që i dha jo trashëgimia, por historia, gjatë një pleqërie kaluar syrgjyneve.

Diti sa e sa herë t’ja fillonte nga e para, zemrën plot zjarr e dashuri, si për shembull kur megjithë hallet e moshës u mandatua nga shqiptarët e Amerikës t’u printe në luftën politike për mbrojtjen e atdheut në Konferencën e Paqes.

Dialogoi me të paarsyeshmit, u bë goja dhe fytyra e qindra e mijëra shqiptarëve të panjohur që Shqipërinë e deshën njësoj e për të bënë ç’mundën, u dha dorën atyre që nën mëngë fshihnin kamën, shmangu vëllavrasje dhe përçarje dhe e bëri të pakthyeshme dinamikën e shqiptarëve si faktor në shoqërinë e kombeve të lirë, duke na lënë kështu një trashëgimi po aq të vyer sa edhe të rrallë.

Nuk di për çfarë t’i themi këtij të pavdekshmi faleminderit më parë në këtë përvjetor të lindjes së tij. Në mendje më vijnë vetëm një grusht me fjalë: Për Shqipërinë që bëre Zonjë, o Ati ynë, brez pas brezi të qofshim falë!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!