Rama fajëson gjithnjë… të tjerët

schedule18:33 - 29 Shtator, 2022

schedule 18:33 - 29 Shtator, 2022

Nga Agim Baçi

Kryeministri Rama fajësoi sot gjyqtarët dhe zyrtarët e korruptuar lidhur me ndërtimet pa leje, teksa firmoste për një “administratë ajrore dronësh”.

Nuk e di njeriu nëse duhet të qeshë apo të qajë, kur sheh kryeministrin që vetëm fajëson vetëm të tjerët edhe pse ka hyrë në vitin e dhjetë në krye të një qeverie që ka futur gjithçka nën kontroll e që ka çuar drejt qelive njerëz që kanë ndërruar vetëm një çati pa leje. Me sa duket siguria e tij është e madhe që shqiptarët janë syleshë, që të besojnë një kryeministër që për gjithçka fajëson vetëm të tjerët pa marrë kurrë përgjegjësinë e dështimeve.

Ndërkohë, shqiptarët janë sot plot pikëpyetje se përse drejtësia nuk vepron me shpejtësi për zbardhjen e akuzave për korrupsion në rastin e inceneratorëve, se përse nuk nisin hetimet për përgjegjësinë që ka kryeministri dhe kreu i bashkisë së Tiranës për mbylljen e Agon Channel të Bechettit, për të cilin po paguajmë mbi 110 milionë Euro apo edhe për gjyqe të tjera që kemi humbur në Arbitrazh?

Shqiptarë nuk arrijnë të kuptojnë se si gjykata vijon të mbajë pezull një vendim për Partinë Demokratike, që ka muaj e muaj që zvarritet, kur dihet fare mirë se pasojat e këtij vendimi kanë pasoja jo vetëm për drejtuesit dhe anëtarët e asaj partie, por edhe për fatin e pluralizmit politik në vend. Por për një gjë të tillë kryeministri ndjehet i lumtur, që në kampin opozitar mundësisht të banalizohet gjithçka dhe ai të shkojë në zgjedhjet lokale pa një qartësi politike.

Dhe imagjinoni, që po ky kryeministër që shpesh lëvdohet për mbështetje ndërkombëtare, pyeste dje gazetarët të cilët i kujtonin kundërshtinë e BE-SHBA për draft-ligjin për amnistinë fiskale- po ju jeni me ata apo me Shqipërinë?

Siguria e tij  e madhe se shqiptarët do e besojnë sa herë ai gënjen e tallet është e vetmja gjë që me sa duket i jep garanci se do vijojë të jetë kryeministër edhe për shumë kohë…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!