Rama dhe Koçiu inspektojnë punimet në spitalin e Kardiokirurgjisë në QSUT, ministrja: Përfundon në qershor

schedule12:27 - 16 Janar, 2025

schedule 12:27 - 16 Janar, 2025

Spitali i ri i Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare është një tjetër kantier i hapur në QSUT, i cili në përfundim të punimeve do t’i shtohet zinxhirit të strukturave të reja europiane të ansamblit spitalor, me kushte e teknologji të fjalës së fundit.

Kryeministri vijoi sot inspektimin në terren dhe u njoh me projektin, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë, si një godinë e organizuar në 4 kate.

“Këtu jemi në spitalin e kardiologjisë kirurgjisë dhe kirurgjisë vaskulare. Është një nga kantieret në fakt brenda QSUT-së sepse nuk është i vetmi. Është një godinë e organizuar në 4 kate. Në katin e parë kemi kryesisht shërbime, të cilat ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike. Ndërkohë që kati i parë ka të bëjë me shërbimin e kirurgjisë vaskulare. Në katin e tretë kemi bllokun operator me shtim sipërfaqesh nga 4 salla operatore janë 5 salla të cilat tashmë krijojnë kushte më optimale. Në katin e  tretë kemi edhe shërbimin intensiv apo atë që quhet reanimacion për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim.

Është një sipërfaqe ndërtimi 4000 metra katror, me një sipërfaqe të shtuar 500 metra katror. Janë me një kapacitet prej 80 shtretërish, 32 në secilin nga katet e shërbimeve. Punimet pritet të mbarojnë brenda muajit qershor dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin, por edhe me mobilim dhe pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat do të vijojnë t’i ndihmojnë doktorët të bëjnë mrekullitë e tyre.” – shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale Albana Koçiu, e cila informoi ndër të tjera se “Aktualisht janë duke u zhvilluar punimet dhe në spitalin psikiatrik dhe me buxhetin e vitit 2025 do të fillojmë investimin edhe në spitalin e djegie plastikës, por ky është një investim i rëndësishëm, duke e konsideruar që të dy investimet që ofrojmë këtu janë shërbime të nivelit kombëtar dhe marrin shërbimin kryesor, jo vetëm pacientët e qytetit të Tiranës, por edhe pacientë që vijnë nga rrethet.”

Ndër të tjera Ministrja Koçiu tha se “Me përfundimin e spitalit psikiatrik këtë vit, me fillimin e punimeve tek spitali i djegie plastikës, dhe me përfundimin e Spitalit Pediatrik përmbyllet i gjithë cikli i rehabilitimeve dhe rikonstruksionit të infrastrukturës në QSUT./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!