Raketa ruse mbi Ukrainë/ Zyrtarët e Kievit: Ky është një nga sulmet më të këqija që nga fillimi i luftës

schedule12:43 - 8 Korrik, 2024

schedule 12:43 - 8 Korrik, 2024

Të paktën 20 persona janë vrarë pasi Rusia nisi një sulm masiv me raketa kundër qyteteve anembanë Ukrainës, sipas zyrtarëve. Në kryeqytetin Kiev, të paktën shtatë persona u vranë në një sulm të rrallë gjatë ditës. Kryebashkiaku i qytetit tha se një spital për fëmijë u godit nga sulmi me raketa dhe po evakuohej.

E kreu i administratës ushtarake në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, theksoi se të paktën 10 njerëz ishin vrarë atje, me tre të vrarë në qytetin lindor të Pokrovsk.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po viziton Poloninë, tregoi se Rusia kishte gjuajtur rreth 40 raketa në objektiva në të gjithë vendin. Zelensky, i cili do të udhëtojë në SHBA për samitin e NATO-s të kësaj jave në Uashington, tha se Rusia kishte “sulmuar masivisht” Ukrainën.

“Qytete të ndryshme: Kiev, Dnipro, Kryvyi Rih, Sloviansk, Kramatorsk. Më shumë se 40 raketa të llojeve të ndryshme. Ndërtesat e banimit, infrastruktura dhe një spital për fëmijë u dëmtuan”.

Ndërkohë, Vitaliy Klitschko, kryetari i bashkisë së Kievit, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se bombardimi ishte sulmi më i keq në kryeqytet që nga fillimi i luftës.

“Ky është një nga sulmet më të këqija. Mund ta shihni: është një spital për fëmijë”, citohet të ketë thënë Vitali Klitschko ndërsa qëndronte pranë një ndërtese të dëmtuar rëndë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!