Raketa ruse mbi Kiev/ 15 të vrarë dhe qindra të plagosur, Zelensky: Një nga sulmet më të tmerrshme

schedule12:11 - 17 Qershor, 2025

schedule 12:11 - 17 Qershor, 2025

Rusia ka lëshuar drejt Ukrainës këtë të martë mbi 440 dronë dhe 32 raketa duke goditur më shumë se 27 zona në Kiev, kryeqytetin e këtij vendi. Bilanci i sulmit sjell shifra tragjike, 15 persona të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi sulmin si një nga më të tmerrshmit në kryeqytet që nga fillimi i luftës. “Këto sulme janë terrorizëm i pastër. Bota, Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet të reagojnë si një shoqëri e civilizuar kundër terroristëve. Putini e bën këtë vetëm sepse ende mundet,” shkroi Zelenky në X.

Në lagjen Solomianskyi të Kievit, një raketë balistike shkatërroi një ndërtesë nëntëkatëshe banimi, duke rrafshuar një pjesë të saj. Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet në rrënoja dhe kanë evakuuar të plagosurit, përfshirë një grua të moshuar që u nxor nga një dritare me vinç.

Një qytetare vendase, Viktoriia Vovchenko, 57 vjeç, tha: “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ishte e tmerrshme. Kur nisën të nxirrnin njerëzit… të gjithë ishin të prerë, fëmijë dhe të moshuar. Nuk e di sa gjatë do të vazhdojë kjo torturë për ne.”

Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko konfirmoi se 14 persona humbën jetën në Kiev dhe një tjetër në Odesa. Pothuajse 100 persona u plagosën në Kiev, Odesa dhe në rajonin verior të Çernihivit.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri me dije se një nga viktimat në kryeqytet ishte një qytetar amerikan 62-vjeçar, që humbi jetën nga copëzat e një rakete.

Ndërkohë, Ukraina ka ndërmarrë sulme me dronë brenda territorit rus, por pa shkaktuar dëme të ngjashme në objektiva civile. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte rrëzuar 147 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë edhe në rajonin e Moskës.

Lufta ndodhet në vitin e saj të katërt dhe përshkallëzimi i fundit vjen pasi raundet e fundit të bisedimeve për paqe në Stamboll kanë dështuar.

Forcat ruse po vazhdojnë avancimin në lindje të Ukrainës dhe kanë hapur një front të ri në rajonin verilindor të Sumyt, pavarësisht thirrjeve për armëpushim nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka premtuar se do ta përfundojë luftën shpejt.

Presidenti Ukrainas Volodymir ndodhet aktualisht në Kanada ku po merr pjesë në Samitin e G7-ës me qëllimit për të kërkuar më shumë ndihmë Ushtarake për vendin e tij dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë. Kreu I shtetit Ukrainas kishte planifikuar të mbante një takim me Presidentin Trump , por ky I fundit u largua përpara kohe nga Kanadaja për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.

Trump ka zhvendosur politikën amerikane drejt një qasjeje më toleruese ndaj Moskës dhe ka kërkuar që G7-ta të rikthejë Rusinë në këtë grup,  pasi tha se se përjashtimi I saj në vitin 2014 për shkak të aneksimit të Krimesë kishte qenë një gabim. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!