Raketa gjigante e NASA-s, Space Launch System (SLS), është rikthyer për herë të dytë në platformën e nisjes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt misionit Artemis II, i cili synon të dërgojë astronautë rreth Hënës për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash.
SLS, së bashku me anijen Orion, përshkoi një distancë prej rreth 6.5 kilometrash nga godina e montimit drejt platformës 39B në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida. Lëvizja erdhi pasi një problem në sistemin e heliumit detyroi NASA-n të anulonte një përpjekje për nisje në mars dhe ta kthente raketën për riparime.
Sipas inxhinierëve, defekti është zgjidhur dhe aktualisht po kryhen testet përfundimtare për të konfirmuar gatishmërinë e raketës për nisje në fillim të prillit.
Raketa, rreth 100 metra e lartë dhe me peshë afërsisht 5,000 tonë së bashku me platformën, u transportua nga mjeti special Crawler-Transporter-2 me një shpejtësi shumë të ulët, për të shmangur dëmtime apo tensione në strukturë.
Tashmë në platformë, ekipet teknike do të kryejnë verifikime të detajuara, përfshirë testet e presionit në sistemin e heliumit dhe simulime të procesit të nisjes, pa furnizuar raketën me karburant.
Pas analizimit të rezultateve, drejtuesit e misionit pritet të marrin vendimin përfundimtar për nisjen, e cila synohet të realizohet më 1 prill. Në rast shtyrjeje, dritare alternative janë planifikuar nga 2 deri më 6 prill, si dhe më 30 prill.
Ndërkohë, ekuipazhi i Artemis II – Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen – ka nisur përgatitjet finale dhe ndodhet në karantinë para fluturimit.
Misioni 10-ditor do të çojë astronautët në një trajektore rreth anës së largët të Hënës dhe më pas do t’i rikthejë në Tokë, duke hapur rrugën për misione të tjera në kuadër të programit Artemis, që synojnë rikthimin e njeriut në sipërfaqen hënore në vitet në vijim.


