Ndalur tek testet seriologjike zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se ende nuk është e sigurt që personi që zhvillon antitrupa ka imunitet ndaj koronavirusit.
Ajo tha se deri më tani janë testuar punonjësit e spitaleve Covid, ndërkohë që do testohen edhe punonjës të spitaleve të tjera bashkë me nëpunësit e rendit dhe grupet që kanë qenë të ekspozuara.
Por, Rakacolli shtoi se rezultatet e tyre nuk do të bëhen publike pa qenë të sigurt në vërtetësinë e testit.
LEXO EDHE: Rakacolli: Virusi po dobësohet, epidemia nën kontroll! Ja çfarë na mësoi rasti i Krujës
“Problemi i testimeve seriologjike ka qenë kudo në botë. Edhe nëse i ke antitrupat akoma nuk dihet nëse trupi ka fituar imunitet.
Nëse ne do të japim rezultate tani duhet ta kemi shumë të sigurt vërtetësinë e testit. Bota e ka zhvilluar shumë shpejt, ndaj është e këshillueshme të shihet sensibiliteti i testit. Duhet të testohen grupet që janë të sigurtë që e kanë kaluar sëmundjen.
Nga testet do të themi rezultat e personelit shëndetësor nga spitalet Covid dhe do të vazhdojë në strukturën e spitaleve të tjera, policisë së shtetit dhe kategorive që kanë qenë të ekspozuara.
Përgjigjet nuk do të interpretohen pa qenë të sigurt sepse duhet të themi se testet janë shumë të besueshme.
Testi që përdorim ne është certifikuar në Europë dhe më gjerë.
Kemi mësuar shumë për virusin gjatë kësaj kohe dhe natyrisht këto kanë dalë nga specialistë që kanë mësuar shumë gjëra për virusin. Ne kemi qenë të kujdesshëm për t’u munduar për t’u kapur rastet. Janë bërë mjaft testime para se të dilte rasti i parë pozitiv”, tha Rakacolli./abcnews.al