Rajoni i Ohrit, UNESCO jep shansin e fundit

schedule19:45 - 5 Korrik, 2019

schedule 19:45 - 5 Korrik, 2019

UNESCO i ka dhënë shansin e fundit Tiranës dhe Shkupit për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, pjesë e trashëgimisë kulturore, por i lënë sipas agjencisë së OKB-së, pas dore dhe pre e degradimit urbanistik.

Me fjalët “degradim”, “lënie pas dore”, “moskujdesje” e të ngjashme pjesëmarrësit e takimit të Komisionit për trashëgimi kulturore të UNESCO-s në Baku të Azerbejxhanit e kanë përshkruar ngecjen e rajonit të Ohrit lidhur me kushtet për mbijetesën e llojeve endemike të bimëve dhe peshqve, por edhe të arkitekturës dhe ndërtimet e vjetra. Shembujt që janë paraqitur për përshkrimin e ngecjes në katër dekadat e fundit kanë të bëjnë me ndërtimet e jashtëligjshme dhe në rritje të industrisë së turizmit, por edhe ndotjen e ujit të liqenit, me ujra fekal duke vënë në rrezik florën dhe faunën.

UICN, trupi këshillëdhënës i UNESCO-s: “Ky rajon është goditur nga një zhvillim jo përkatës dhe është lënë pas dore. Planifikimi ka qenë kryesisht joefikas dhe i dëmshëm, në veçanti rreth ndërtimit të infrastrukturës për nevojat e turizmit. Kualiteti i ujit është shqetësimi kryesor kur bëhet fjalë për mbrojtjen e natyrës”.

Por, kërkesa e Shqipërisë që të zgjerohet zona nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke llogaritur edhe siujdhesën Lin dhe gjithë sipërfaqen e ujit, në njëfarë mënyre ka ndihmuar edhe Maqedoninë  e Veriut, që të mos hyjë në listën e trashëgimeve natyrore e kulturore të rrezikuar.

Hungari, UNESCO: “Ne jemi të lumtur që i gjithë rajoni i Ohrit do të mbulohet dhe do të mbrohet si trashëgimi botërore kulturore. Por megjithatë, edhe pse i pranojmë vërejtjet e evaluimit se ekzistojnë çështje që ngrinin shqetësime serioze, si presionet nga turizmi, peshkimi i tepruar, kontaminimi i ujit, ne kemi dorëzuar një amendament, për shkak se vlerësojmë se dy vendeve duhet t’u jepet kohë, që me bashkëpunim ndërkufitar t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve me të cilat ballafaqohen. Këtë herë të mos futen në listën e trashëgimive të rrezikuara”.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ministri i Diasporës Edmond Ademi, i cili kërkoi afat deri në Shkurt të vitit të ardhshëm, që të eliminohen problemet, ka falënderuar dhe ka përshëndetur zgjerimin e zonës së mbrojtur në anën e Shqipërisë, duke shfaqur shpresën se në seancën e ardhshme të përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut-Shqipëri do të diskutohet kjo temë.

Edmond Ademi, ministër i Diasporës: “Komiteti vendosi që të mos e vendos Ohrin dhe Rajonin e Ohrit në listën e trashëgimisë së rrezikuar kulturore. Vendimi I sotëm është shtytje dhe përkrahje për Qeverinë, për Komunat dhe për të gjitha institucionet t`i zbatojnë rekomandimet tjera”.

Autoritetet lokale në Ohër kanë identifikuar mbi një mijë ndërtime të egra në zonën e mbrojtur afër Liqenit, por edhe lëshime në funksionimin e kolektorit, që ka rezultuar me ndotje të ujit. Por, OJQ-të ashpër kanë kritikuar pushtetin lokal dhe atë qendror, që për katër dekada në vend të konservimit kanë lejuar degradimin e rajonit dhe cenimin e rreth dy mijë llojeve endemike. Amendamentin e Hungarisë, që tu jepet kohë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e kanë përkrahur Norvegjia, Tunizia, Kina, Azerbejxhani, Brazili, Guatemala dhe vende të tjera./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!