Raisi: Nuk do të takohem me Biden; nuk do të rinegocioj programin e raketave

schedule14:57 - 21 Qershor, 2021

schedule 14:57 - 21 Qershor, 2021

Presidenti i zgjedhur i Iranit tha të hënën se as nuk do të takohet me Presidentin Joe Biden dhe as nuk do të hyjë në negociata për programin e raketave balistike të vendit dhe mbështetjen e grupeve paraushtarake në rajon. Me këto komente pak pas fitores së tij dërrmuese në zgjedhjet e së premtes ai pasqyron qëndrimin e vijës së ashpër.

Kreu i Gjyqësorit Ebrahim Raisi e prezanton veten si “mbrojtës të të drejtave të njeriut” kur pyetet për përfshirjen në ekzekutimet e rreth 5000 vetëve në 1988. Është hera e parë që ai vihet publikisht para pyetjesh lidhur me këtë moment të errët të historisë së Iranit në fund të luftës Iran-Irak.

“ShBA janë të detyruara të heqin sanksionet shtypëse kundër Iranit,” tha ai në një konferencë për shtyp.

Zoti Raisi doli para një mori mikrofonësh të hënën, pjesa më e madhe nga media iraniane dhe nga vende ku Irani mbështet grupet paraushtarake. Ai dukej i stresuar në fillim të komenteve por gradualisht u qetësuar gjatë konferencës së shtypit që zgjati një orë.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me programin e raketave dhe mbështetjen për grupet paraushtarake në rajon, presidenti i zgjedhur tha se këto janë tema “të panegociueshme”.

Flota e avionëve luftarakë të Iranit i përket në masë të madhe periudhës së Revolucionit Iranian të viteve 1979. Autoritetet janë përpjekur ta korigjojnë këtë problem duke investuar në teknologji raketore si kundërpeshë ndaj fqinjëve arabë që kanë blerë pajisje ushtarake amerikane gjatë viteve të fundit. Irani gjithashtu i përdor lidhjet me grupe ekstremiste si Hutit në Jemen dhe Hezbollahun në Liban për balancë strategjike në rajon përballë vendeve rivale si Arabia Saudite dhe Izraeli.

Lidhur me një takim të mundshëm me presidentin amerikan, Joe Biden, zoti Raisi u përgjigj me një “Jo” të prerë.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka reaguar në përgjigje të komenteve të presidentit të zgjedhur të Iranit. Zoti Raisi do të bëhet i pari president i Iranit që vjen në detyrë ndërkohë që është nën sanksione amerikane, të vëna për rolin e tij në krye të gjyqësorit, institucioni që mbikqyr dhe autorizon ekzekutimet dhe shkejlje të tjera të të drejtave të njeriut.

Fitorja e Ebrahim Raisit u shoqërua me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje që nga Revolucioni Iranian. Miliona iranianë me të drejtë vote nuk morën pjesë në shenjë proteste ndaj një votimi që u pa si i manipuluar në favor të zotit Raisi.

Ndër ata që votuan, 3.7 milionë vetë dorëzuan fletëvotime të pavlefshme, një shifër shumë më e lartë se numri i regjistruar në votime të mëparshme.

Zgjedhja e zotit Raisi u siguron pasuesve të vijës së ashpër një kontroll të fortë mbi qeverisjen në Iran, ndërkohë që në Vjenë vazhdojnë përpjekjet mes vendeve aleate të interesuara të ringjallin marrëveshjen bërthamore me Teheranin. Në një kohë kur Irani po pasuron uranium në gradën 60% — niveli më i lartë që ka arritur ky vend ndonjëherë, por ende larg pasurimit të nevojshëm për një armë bërthamore — përfaqësuesit e fuqive botërore përmbyllën të dielën një raund bisedimesh në Vjenë duke deklaruar se qeveritë e përfshira në negociata duhet të marrin vendimet e nevojshme politike për riaktivizimin e marrëveshjes.

Zgjedhja e zotit Raisi ka zgjuar shqetësime se mund të ndërlikojë kthimin në marrëveshjen bërthamore. Në komentet e tij të hënën, ai u shpreh se lehtësimi i sanksioneve është “temë qëndrore në politikën tonë të jashtme” dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara “të vënë në zbatim angazhimet e tyre” në bazë të marrëveshjes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!