Mino Raiola flet pa doreza dhe në mes janë emra si Paul Pogba dhe Zlatan Ibrahimovic, të cilët gjithmonë bëjnë zhurmë. Menaxheri i njohur ka dhënë një intervistë për Tuttosport, që do të botohet në numrin e nesërm të gazetës italiane.
Në mediat italianë janë zbuluar disa pjesë të saj, teksa Raiola është ngacmuar për kampionin e botës dhe zbulon edhe të ardhmen e tij. “Mund të them se koha e Pogba te Manchester United ka përfunduar”, është një prej fjalive të menaxherit.
Pogba është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2021, por ka një klauzolë që i jep të drejtën “Djajve të Kuq” t’ia zgjatin kontratën edhe një vit tjetër. Kjo është një mundësi për ta që të përfitojnë nga transferimi i tij.
Raiola ndërkohë ka folur edhe për Zlatan Ibrahimovic, duke shigjetuar kampionët e Italisë për të. “Juventusi duhet të kishte firmosur me Zlatan Ibrahimovic. Ai do të kishte qenë një partner perfekt në sulm për Cristiano Ronaldon”, është shprehur Raiola. /abcnews.al