Radoiçiç dyshohet se frikësoi dëshmitarët në rastin “Brezovica”

schedule14:14 - 4 Shkurt, 2022

schedule 14:14 - 4 Shkurt, 2022

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga puna për tre zyrtarë policorë, pasi ata dyshohet se kanë dështuar të ndalonin në vendkalimin kufitar në Bërnjak në veri të Kosovës, politikanin serb, Millan Radoiçiç, i shpallur në kërkim nga autoritetet e kosovare.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radoiçiq është në kërkim, pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Radoiçiq dyshohet për ‘frikësim gjatë procedurës penale’, pasi i njëjti dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë. Ka tentuar t’i frikësojë që të mos dëshmojnë”, tha prokurori Maloku.

Më herët, IPK-ja ka njoftuar se mbrëmjen e 3 shkurtit, Radoiçiç ishte paraqitur në pikën kufitare në Bërnjak dhe se kishte rezultuar se është person në kërkim.

Pavarësisht kësaj, ai ka drejtuar veturën e tij mbrapa dhe është kthyer në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur te zyrtarët policorë në këtë vendkalim kufitar.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ ”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK-ja bën të ditur se të tre zyrtarët policorë i takojnë Drejtorisë Rajonale Kufitare “Veriu” dhe se që të gjithë janë punonjës në vendkalimin kufitar në Bërnjak.

Radoiçiq, është nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Në dhjetor të vitit 2021, lidhur me rastin “Brezovica” u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kreun e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Ai dyshohet se ka fituar në mënyrë të kundërligjshme një milion euro.

Nikoliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.

Më 6 janar, autoritetet kosovare njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Radoiçiq dhe disa serbë të tjerë nga Kosova u vendosën në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit tha se grupi i sanksionuar është angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!