Fabio Capello ka prekur disa tema gjatë prononcimit të tij për Radio Anch’io Sport. Trajneri i njohur zbulon talentin më të mirë italian dhe ka një mesazh për arbitrat.
Ndeshjet kanë nevojë për ritëm, intensitet dhe sa më pak ndalesa. Racizmi po shtohet në Serie A dhe rasti i fundit ndodhi në ndeshjen Verona-Brescia. Tifozët vendas u kapën me Balotellin, teksa ky i fundit reagoi duke shkelmuar topin drejt tyre.
Capello e sheh zgjidhjen te modeli anglez. Në fund një analizë për dy ekipet kryesuese. Sarri po sakrifikon futbollin e duhur për të arritur rezultate me Juven, ndërsa Conte ka hedhur themelet e Interit te mbrojtja fantastike që kanë zikaltrit.
TALENTI – “Unë jam një admirues i Zaniolos, është talenti më i fortë që kemi në Itali. Ndoshta kur kam folur për të kam harruar emrin e Kean. Kam pasur edhe unë lojtarë të rinj që kanë humbur rrugës si Cassano”.
ARBITRAT – “Do të më pëlqente të përdornin metodën angleze. Mungon shumë intensiteti i ndeshjeve, tani çdo kontakt dhe kontrasti më i vogël, cilësohen faull”.
BALOTELLI – “Përse nuk arrijmë t’i izolojmë tifozët racistë? Sepse u kemi dhënë rëndësi të madhe. Ndihen të fortë kur janë grup dhe kthehen në dele kur nuk janë. Racizmi nuk duhet të ekzistojë. Reagimi i Balotellit ishte i rëndësishëm dhe duhet mbështetur. Flasim shumë, por nuk marrim vendime siç ndodh në Angli”.
JUVE-INTER – “Nuk arrihen rezultate pa një lojë të bukur. Juventusi nuk i ka lojtarët për një stil të caktuar loje dhe Sarri po përqendrohet te marrja e rezultateve. Conte e ka bazuar lojën e tij te mbrojtja e Interit dhe falë kësaj baze po merr rezultate pozitive”. /abcnews.al