Balerini i njohur rus Vladimir Sklyarov ka vdekur në moshën 39-vjeçare.
Sklyarov vdiq pasi u rrëzua nga kati i pestë i një ndërtese të shtunën, tha një zëdhënëse e Teatrit Mariinsky gjatë fundjavës.
Zëdhënësja, Anna Kasatkina, tha se Sklyarov po merrte ilaçe kundër dhimbjes për një dëmtim të shpinës dhe ishte planifikuar t’i nënshtrohej një operacioni në shtyllën kurrizore të hënën (18/11).
Edhe pse një hetim federal është nisur për vdekjen e balerinit, “shkaku paraprak” është cilësuar si një aksident.
I lindur në Shën Petersburg në vitin 1985, Sklyarov iu bashkua Teatrit Mariinsky në 2003 dhe u bë balerini kryesor i tij, pozicioni më i lartë në një trupë baleti në 2011.
Kompania e quajti vdekjen e Skliarov një “humbje të madhe”.
“Ngushëllimet tona për familjen e artistit, të dashurit e tij, miqtë e tij dhe të gjithë admiruesit e shumtë të punës dhe talentit të tij… ai e ka shkruar përgjithmonë emrin e tij në historinë e baletit botëror”, thuhet në njoftim.
Gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, Skliarov luajti në produksionet e Liqenit të Mjellmave, Romeo dhe Zhuljeta, Bukuroshja e Fjetur, Don Kishoti dhe Alice in Wonderland të Christopher Wheeldon. Ai është shfaqur në të gjithë botën, duke përfshirë Operën Metropolitan në Nju Jork dhe Shtëpinë e Operës Mbretërore në Londër.
Në vitin 2013, ai u martua me balerinën e Teatrit Mariinsky, Maria Shirinkina, me të cilën pati dy fëmijë./abcnews.al