Pas atentatit që u bë ndaj Donald Trump, nga i cili, ish-presidenti u lëndua në veshin e djathtë, menjëherë në rrjet qarkulluan foto dhe meme nga seriali i famshëm “The Simpsons”, ku shfaqet Trump në një arkivol dhe sipër në të shkruhet “R.I.P Donald Trump, 1946-2024”.
“A e parashikuan edhe një tjetër ngjarje “The Simpsons”?”; “Sigurisht që “The Simpsons” do e dinin”; “Ok, bota duhet të mbajë shënim nga “The Simpsons”; ishin disa nga komentet që vërshuan në rrjetet sociale.
Stafi i Reuters pyetën producentin ekzekutiv të “The Simpsons”, i cili konfirmoi se në fakt, skena që po qarkullon online është e rreme.
Matt Selman, producenti ekzekutiv i “The Simpsons” tha:
“Imazhi i Donald Trump në një arkivol nuk është shfaqur kurrë në “The Simpsons”. Është i edituar. Nuk ka asnjë provë se ky moment është shfaqur në një episod të shfaqjes. Është e trishtë, por është kaq e thjeshtë të krijohen skenare dhe parashikime të rreme nga “The Simpsons” me qëllim që të keqinformohen njerëzit”.
Imazhi në fjalë qarkullon në rrjetet sociale qysh prej vitit 2017 dhe mesa duket, dikush ka pasur gjithë kohën e botës që ta krijojë dhe të bindë njerëzit se “The Simpsons” e kanë parashikuar ‘vdekjen’ e ish-presidentit.
/abcnews.al