Qytete të braktisura

schedule20:49 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 20:49 - 10 Dhjetor, 2022

Ersekë, është ora 11:00 e një dite pushimi në fund-nëntori. Dëbora e parë ende nuk e ka zbardhur pedonalen e zbrazur, ndërsa e ftohta paralajmëruese fillon të ndjehet. Qyteti i vogël duket sikur nuk është zgjuar. Zhurmat e pakta përhapen mes rrugëve të zbrazëta, ndërsa jehona e tyre përplaset ndërmjet fasadave të godinave bosh. Duket sikur qyteti është në pritje të një ngjarje të madhe, si skenat e heshtura vetëm pak minuta para se të fillojë shfaqja, kur njerëzit pritet të vërshojnë nga të gjitha rrugicat. Por për orë të tëra pritje askush nuk shfaqet, me përjashtim të disa të moshuarve që përshëndesin njëri tjetrin dhe fillojnë rutinën e përditshme.

Dy fëmijë po shtyjnë kohën me një top, duke pritur përpara berberhanes së vetme në qytet. Disa metra më tutje, ndodhen bustet e Petro Nini Luarasit dhe Fan Nolit drejtuar përballë bashkisë së Ersekës. Ata, bashkë me shumë patriotë të tjerë kolonjarë, luftuan gjithë jetën e tyre që këto vise të kishin gjuhën e tyre, të ardhmen e tyre, të njiheshin ndërkombëtarisht e të zhvilloheshin si gjithë kombet evropiane. Sot, sheshi para tyre është bosh dhe të rinjtë i kanë kthyer shpinën.

Ndryshe prej shumë të rinjve kolonjarë, Erjoni ka lënë metropolin për të shërbyer si kryetar bashkie në Ersekë. Ai flet me dhimbje për braktisjen e vendlindjes. Erjoni tregon se Bashkia e Ersekës po përpiqet të bëjë çfarë mundet për të krijuar kushte, që të rinjtë të kthehen në qytetin e tyre për të jetuar dhe shërbyer. Ai ka kritika edhe për ata pak të rinj, që kanë mbetur ende aty.

Në zymtësinë e braktisjes gjen edhe shembuj shprese. Ristana ka përfunduar studimet për histori-gjeografi në Tiranë, ajo na tregon se çfarë e tërhoqi të kthehet në vendlindje.

Shumica e bashkëmoshatarëve të saj studentë kanë qëndruar në Tiranë, ose janë larguar në emigracion. Ristana nuk i qaset fare slloganeve shpesh patetike të tipit: kthehu në vendlindje… kontribuo për vendin tënd,.. e ardhmja jote është këtu etj… Sepse zgjedhja që ajo ka bërë për karrierën dhe jetën e saj në qytetin e vogël është edhe për shkak të rrethanave.

Nuk është e lehtë për një të re të përshtatet me monotoninë e një qyteti të largët, siç është Erseka. Sidomos për ata që janë mësuar me ditët e zhurmshme dhe jetën e natës në kryeqytet.

Përkundër valës së largimeve masive nga qyteti, Edvini sapo është kthyer prej emigracionit, për të nisur me optimizëm biznesin e tij. Ai ka hapur një dyqan për shitjen e mishit dhe produkteve të tjera. Edvini tregon rrugën e mundimshme drejt emigrimit 20 vjet më parë. Dhe ka një mesazh për të rinjtë e qytetit të tij.

Në periferi të qytetit të Ersekës, gjendet bujtina Borova, një sipërmarrje agroturizmi, që drejtohet nga dy vëllezërit Mejdi, të cilët e kanë trashëguar këtë sipërmarrje nga prindërit e tyre që fillimisht investuan me të ardhurat e siguruara në emigracion. Sfida për drejtuesit e këtij biznesi është mungesa e punonjësve. Nuk gjenden të rinj që mund të punësohen në shërbim si kamarier, banakier apo kuzhinier.

Mikaili na thotë me humor, se po përkëdhelim më shumë punonjësit se fëmijët tanë… dhe përsëri nuk qëndrojnë, të gjithë duan të ikin në Angli. Mikaili thotë se nuk ka munguar mbështetja e bashkisë me aq sa mundësi ekzistojnë, por për sa i përket institucioneve të qeverisjes qendrore, janë bërë vetëm pengesë dhe asnjëherë mbështetje.

Në fshatin Shelegur, në këtë pllajë mes malesh, 9 km para se të shkosh në Leskovik, ka nisur të gjallojë jeta. Disa të rinj të kësaj zone janë kthyer për të ndërtuar jetën e tyre pikërisht këtu, përmes angazhimit në sipërmarrje agroturizmi.

Grisildo dhe Kreshniku janë kushërinj dhe ortakë në këtë sipërmarrje. Grisildo nuk është larguar asnjë herë nga Sheleguri, ndërsa Kreshniku bashkë me familjen, ishte larguar për pak vite në Tiranë. Prej tri vitesh ata punojnë me përkushtim në biznesin e tyre, i ngritur mes shumë vështirësive. Pa asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore kanë ecur hap pas hapi deri sot, kur bujtina e tyre është një ndër destinacionet e preferuar jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt.

Ata thonë se e kanë pasur mbështetjen e bashkisë që në fillim, por kanë vështirësi për të siguruar të përhershëm që të shërbejë në bujtinë. Bashkëshortja e Kreshnikut është angazhuar në kuzhinë, bashkë me nënat e dy kushërinjve. Ajo thotë se e ardhmja e fëmijëve të saj është pikërisht aty, në Shelegur, me biznesin familjar, që po ngrihet ditë pas dite me mund dhe sakrifica.

Pak më tej është një tjetër sipërmarrje, gjithashtu në agroturizëm. Oresti është 21-vjeçari nga Sheleguri që është kthyer nga emigracioni për të ndihmuar familjen në biznesin e çelur këtë verë. Me dëshirën e mirë për të mbështetur familjen, këta të rinj kanë vendosur të sakrifikojnë kohën e tyre, duke lënë mënjanë dëshirën për të jetuar në metropole.

Alisa është motra e Orestit, ajo studion në Tiranë për inxhinieri elektronike. Gjatë gjithë verës dhe çdo fundjavë, Alisa udhëton drejt Shelegurit për të ndihmuar familjarët në biznesin e sapo nisur. Alisa nuk duket kaq optimiste. Ajo thotë se është shumë e vështirë të garantohet suksesi i një biznesi të tillë, në një vend ku nuk ka të rinj, nuk ka forcë punëtore.

Prindërit e këtyre të rinjve kanë bërë maksimumin për t’ju krijuar fëmijëve mundësinë për të punuar dhe për ta mbajtur të gjallë jetën në vendlindje.

Në këtë qytet të vogël mbi luginën e Vjosës në cepin jug-lindor të Shqipërisë, rrethuar nga malet e pyjet e pishave, njerëzit janë edhe më të rrallë, sidomos të rinjtë. Janë larguar pothuajse të gjithë: dikush emigrant jashtë vendit, të tjerë në Tiranë apo qytete të tjera. Leskoviku është ndoshta qyteza më e vetmuar.

Nëpër rrugë a shëtitore ka pak makina, disa të moshuar, kafene të zbrazura dhe ndonjë minimarket.

Jorgis Mici është një 20-vjeçar nga Leskoviku që studion në Tiranë, ndërsa familja e tij banon në Leskovik. Mbiemri i familjes së tij është bërë gradualisht një markë e njohur e prodhimit të verës shqiptare. Jorgisi ka vendosur të kthehet në Leskovik për të zhvilluar më tepër kantinën.

Si shumica e të rinjve, Jorgisi është tunduar të qëndrojë në Tiranë, apo të niset në emigracion, por thotë se është i vendosur të kthehet në qytezën e tij. Flet me dhimbje për largimin e bashkëmoshatarëve dhe problematikën që ka sjellë ikja e të rinjve.

Në takimet me të rinjtë sipërmarrës gjatë udhëtimit tonë nga Erseka në Leskovik, njohëm të rinj optimist, që kanë nevojë për mbështetje për të mos u dorëzuar dhe t’i varin shpresat e tyre vetëm tek largimi. Kryetari i bashkisë, thotë se është duke u përpjekur që të garantojë përfundimin brenda afatit të rrugës automobilistike dhe zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, dy prioritete që kanë ndikuar në zhvillimin e kësaj zone.

Ndërsa për qytetin, ai shpreson tek një projekt i ri që po hartohet për Ersekën, i cili synon jo vetëm kthimin e të rinjve vendas, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!