“Qytetarët të respektojnë këshillat”, presidenti Meta takon ministren e Shëndetësisë: Domosdoshmëri bashkëpunimi i ngushtë

schedule20:53 - 10 Mars, 2020

schedule 20:53 - 10 Mars, 2020

Presidenti Ilir Meta këtë të martë ka zhvilluar n jë takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu duke u njohur nga afër me masat e marra për përballimin e pandemisë së coronavirusit. Në këtë takim kreu i shtetit ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, kreu i Shtetit kërkon marrjen e masave për mbrojtjen e personelit shëndetësor.

Ndër të tjera përmes një deklarate për mediat Meta ka bërë me dije se në këtë takim ndër të tjera ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta.

Deklarata e plotë:

Sot në mbrëmje prita me kërkesën time Ministren e Shëndetësisë, znj.Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të ekipit të Task-Force të angazhuar për përballimin e pandemisë së coronavirusit, jo vetëm për t’u shprehur solidaritetin dhe përkrahjen time, por edhe për të ngritur disa shqetësime me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të reagimit institucional.

Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore.

U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falenderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Nënvizova rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta.

Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë.

SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!