“Quajti anëtarësinë llum”, Noka: Basha të japë dorëheqjen, bëri atë që se ka bërë Nano e Rama

schedule14:30 - 11 Tetor, 2021

schedule 14:30 - 11 Tetor, 2021

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili ka dalë hapur në mbështetje të iniciativës së Sali Berishës, ka komentuar sot debatet që u bënë mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Grupit.

Pas mbledhjes së sotme në Selinë Blu të Grupit Parlamentar të PD-së, Noka u shpreh se deri më sot “askush nuk ka guxuar që ta cilësojë anëtarësinë e partisë si llum. Sipas tij, mbrëmjen e së dielës, kreu Lulzim Basha i ka bërë anëtarësisë dhe elektoratit të PD-së një poshtërim të radhës.

Ndërsa solli në vëmendje se në mbledhjen e kryesisë i kërkoi që të marrë përgjegjësi, Noka u shpreh se nëse do ta donte PD si forcë politike, Lulzim Basha do të jepte dorëheqjen.

Por, shton ai, për kryedemokratin ka rëndësi vetëm karrigia.

Për Nokën, “Foltorja” e Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD-në të bashkuar.

“Shqipëria nuk ka pasur në këto 30 vite demokraci një kundërshtar që t’i thotë “llum” anëtarët e PD-së Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum. Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, përveç zotit Lulzim Basha.

Mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi. Forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit okult të Bashës. Nëse do e donte sadopak këtë forcë, do jepte dorëheqjen për ta bashkuar këtë forcë, Basha mbrëmë konfirmoi se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD e demokratëve. Kjo gjë në një forcë demokratike, kurrë nuk mendohej se do ndodhte, Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij.

Foltorja është zgjidhja, alternativa, foltorja e Sali Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD të bashkuar e shpëtuar nga rrokullima ku po e çon zoti Basha. Foltorja është shpresë dhe firmat po ecin shkëlqyer, baza e PD është për një parti të bashkuar kundër përçarjes që shkaktoi Basha.”

Kujtojmë se Flamur Noka dhe Lulzim Basha kanë pasur debate dhe përplasje të herëpashershme në bledhjet në Seli që prej se kreu i demokratëve bëri të ditur vendim për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD, liderin historik Sali Berisha. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!