Qipro, liderët rifillojnë negociatat e paqes

schedule17:15 - 9 Gusht, 2019

schedule 17:15 - 9 Gusht, 2019

Liderët grekë dhe ata turq të Qipros kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet për paqen, pavarësisht mosmarrëveshjeve të shumta. Ajo çfarë ka acaruar palët se fundmi kanë qenë kërkimet e palës turke për gaz natyror në detin që rrethon ishullin.

Liderët e Qipros pranuan të premten të vazhdojnë përpjekjet për të rifilluar bisedimet e paqes, edhe pse njëra palë insiston se mes tyre ka ende shumë mosmarrëveshje.

Qiproja u nda si pasojë e pushtimit turk të vitit 1974, i nxitur nga një grusht shteti grek dhe përpjekjet e bëra ndër vite për të vendosur paqen mes dy palëve kanë dështuar.

Në takimin e parë të zhvilluar që prej muajit Shkurt, lideri greko-qipriot Nikos Anastasiades dhe ai turk Mustafa Akinçi deklaruan se kishin patur një shkëmbim konstruktiv të pikëpamjeve dhe se do të vazhdojnë të punojnë me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara.

“Ata vendosën të vazhdojnë përpjekjet për të finalizuar kushtet e një drafti që do të mundësonte arritjen e një marrëveshjeje që të zbatohet me emergjencë”, thuhet në një komunikatë të OKB-së, të shpërndarë për llogari të të dyja palëve.

Ndërkohë, zbulimet e fundit të gazit në zonat detare që rrethojnë ishullin kanë bërë që palët të acarohen, me Turqinë që pretendon të drejtën për të eksploruar burimet natyrore.

Aktualisht, qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Qipros është e përbërë vetëm nga qipriotët grekë, trashëgimi kjo e një ndarjeje kushtetuese e vitit 1963, pasi administrata e ndarë me qipriotët turq u shpërbë për shkak të dhunës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!